Mbrojtja, rishikohen prioritetet/ Fokusi te kërcënimet kibernetike, dizinformimi, destabilizimi, krimi i organizuar
Ndërsa jemi mësuar që politikat mbrojtëse të orinetohen kryesisht nga terrorizmi, ekstremizmi, apo gjeopolitika, dokumenti i rishikuar i qeverisë vendos prioritete krejtësisht të reja, si krimi kibernetik, krimi i organizuar, apo forca që kërkojnë destabilitet.
Dokumenti i ri për rishikimin e politkave të Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë rivlerëson tërësisht prioritetet mbi interesat shtetërore. Dokumenti i ri, i publikuar tashmë në Fletoren Zyrtare, i përqendron politikat e mbrojtjes te kërcënimet konvencionale, terrorizmin, ekstremizmin, emigracionin e paligjshëm, përhapjen e armëve të dëmtimit në masë, krimin e organizuar, fatkeqësitë natyrore, kërcënimet kibernetike, luftën hibride dhe kërcënimin ndaj infrastrukturës kritike kombëtare.
Ndërsa jemi mësuar në vite që të dëgjojmë më së shumti për rreziqet nga terrorizmi, apo gjeopolitika, në dokumentin e ri të Këshillit të Ministrave flitet tashmë për krim kibernetik, kërcënimi ndaj linjave të komunikimit dhe furnizimeve energjetike, apo përpjekjet nga jashtë për destabizim.
Operacionet kibernetike konsiderohen në dokument një nga kërcënimet kryesore në hapësirën kibernetike të NATO-s dhe shteteve anëtare. Këto operacione, ka gjasa të përdoren nga aktorë shtetërorë, grupe të ndryshme apo edhe individë, për të grumbulluar informacion në fushën politike, ekonomike, shkencore dhe teknike, si dhe duke i përdorur këto mënyra të reja si mjete politike për të ndikuar mbi kundërshtarët e tyre.
Ndërkohë që sa i përket rrezikut nga lufta hibride, dokumenti thekson se aktorë shtetërorë dhe joshtetërorë në mjedisin e sotëm të sigurisë po përdorin luftën hibride për shtrirjen e ndikimit për arritjen e synimeve të tyre.
Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, kërcënohet nga operacionet hibride, të cilat kanë si qëllim destabilizimin e funksionimit të shtetit dhe polarizimin e shoqërisë. Operacionet disinformuese, së bashku me mjete të tjera të tilla si përdorimi i medias për propagandë, mund të synojnë arritjen e epërsisë në fushën e informacionit dhe përhapjen e ndikimit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.