Mbrojtje sociale për shtresat në nevojë – Manastirliu: Përmirësojmë standardet në qendrat e përkujdesit
Për 780 mijë qytetarët që janë shtresa në nevojë do të vijojë mbështetja financiare nga qeveria. Sipas Ministres së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale Ogerat Manastirliu vëmendja maksimale do të jetë në plotësimin e standardeve të qendrave të përkujdesit.
“Dua të garantoj dhe njëherë angazhimin e qeverisë për kujdesin ndaj atyre që kanë më shumë nevojë. Në çdo ditë të vitit politikat tona sociale tregojnë këtë, programet tona e tregojnë këtë, mbështetja nëpërmjet shërbimeve sociale në qendrat tona të përkujdesit e tregon këtë. E tregon gjithashtu, mbështetja e përvitshme për 780 mijë qytetarët, familjet në ndihmë ekonomike, personat me aftësi të kufizuar, pensionistët të cilët kanë përfituar shpërblimet e fundvitit, me vendimin e fundit të qeverisë. Ne jemi të angazhuar dhe të fokusuar për të përmirësuar standardet nëpër qendrat tona të përkujdesit pa dyshim për të mos lënë askënd pas”, tha Ministrja Manastirliu.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale organizoi aktivitetin kombëtar “Festat duan dashuri” në 28 institucione të përkujdesit social për fëmijët pa kujdes prindëror, fëmijët e personat me aftësi të kufizuara, të moshuarit e vetmuar, me pjesëmarrjen e anëtarëve të kabinetit qeveritar, deputetëve dhe të ftuarve të veçantë, për të festuar sē bashku me ata që kanë më shumë nevojë.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.