“Mburoja”e lekut – Monedha e fortë po ndikon te inflacioni i ulët
Leku i fortë po luan një rol të konsiderueshëm në nivelet e ulëta të inflacionit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, për tremujorin e fundit të vitit 2017 leku u forcua me 4.4% ndaj monedhave të vendeve kryesore partnere në tregtinë e jashtme.
Në një masë të madhe, ky forcim i lekut ka shërbyer si barrierë për rritjen e inflacionit të importuar nga jashtë.
Banka e Shqipërisë llogarit se indeksi i çmimeve të huaja u rrit me 5.2% në tremujorin e kaluar. Ky indeks llogaritet mbi vlerat e inflacionit të kategorisë “Ushqim, pije, duhan” dhe të disa mallrave joushqimore, për shtetet nga të cilat Shqipëria importon më shumë në kategoritë e mësipërme, duke i ponderuar me peshat e importeve përkatëse.
Rritja e këtij indeksi në fund të vitit të kaluar dëshmon për presione më të larta inflacioniste nga jashtë në ekonominë shqiptare. Por, efekti i forcimit të lekut në kursin e këmbimit bëri që pesha e inflacionit të importuar të dobësohej.
Në tremujorin e katërt, inflacioni në ekonominë shqiptare ishte 1.8%, ndërsa për gjithë vitin 2017 ai rezultoi rreth 2%. Kjo vlerë ishte sidoqoftë më e ulët se pritshmëritë e Bankës Qendrore, që kishte parashikuar një inflacion prej rreth 2.3%.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.