Mbyllen aplikimet për infermierë – Rakacolli: Numër rekord aplikimesh, mbi 3443 për 420 vende pune
Rreth 3443 aplikantë për një vend pune janë regjistruar në portalin “Infermierë për Shqipërinë”. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale lajmëroi përfundimin e aplikimeve sipas afateve të shpallura më herët, për 420 vende të lira pune si infermierë, fizioterapistë dhe teknikë imazherie në të gjitha qendrat shëndetësore dhe spitalet publike. Sipas zëvendësministres së Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes Sociale Mira Rakacolli, ka patur një interesim të madh për punësimet nëpërmjet këtij portal.
“Ka patur një interesim mjaft të lartë për të aplikuar në këtë platformë, gjë që tregon besimin e të interesuarve te kjo mënyrë e re punësimi që do të zhvillohet në strukturat tona publike. Aktualisht është mbyllur faza e parë, ajo e aplikimit për vendet e lira të punës dhe janë 3443 aplikime për infermierë, teknikë imazherie dhe fizioterapistë”.
Në fazën e dytë do të bëhet shqyrtimi i dokumentacionit dhe menjëherë më pas do të shpallen publikisht dhe në platformën www.infermierëpërshqipërinë.al datat dhe vendi i testimit. Punësimi do të kryhet në bazë të rankimit të pikëve të secilit kandidat.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.