Mbyllen legalizimet në Pezë, Lame: Sfida e radhës, regjistrimi i tokave bujqësore në gjithë vendin
Peza është zona e parë në Tiranë që ka përfunduar zyrtarisht procesin e legalizimeve.
Në një aktivitetet të zhvilluar në këtë njësi administrative, Aluizni dha lejet e fundit që përmbyllin kështu një proces të gjatë në kohë dhe të gjerë në problematikë.
Kreu i ALUIZNI-t Artan Lame se i gjithë stoku prej 833 objektesh në këtë zonë të kryeqytetit u trajtua në këto 5 vitet e fundit, siç u trajtua dhe po vazhdon të trajtohet në të gjithë Shqipërinë.
“U përmbyll me sukses ky proces edhe për faktin se e gjithë popullsia e kësaj zone u impenjua që të bashkëpunonte me punonjësit tanë për ndjekjen dhe plotësimin e dokumentacionit”, tha kreu i ALUIZNI-t, në prani edhe të deputetit të zonës Arben Pëllumbi, duke përmendur se, “kur në 2013 Partia Socialiste dha premtimin për përmbylljen e procesit të legalizimeve është thënë gjithmonë, legalizim falas dhe legalizim i çdo objekti të legalizueshëm”.
Drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t tha gjithashtu se pas legalizimeve nis aksioni i madh i këtij mandati të Qeverisë, që është regjistrimi i tokave bujqësore, i AMTP-ve.
“Ky është aksioni i madh i radhës, që kërkon njësinë vendore të impenjohet për të vazhduar procedurat, është aksion që kërkon legjislativin të impenjohet. Na besoni dhe siç mbyllëm aksionin e madh të legalizimeve do të mbyllim dhe aksionin e regjistrimit të tokës bujqësore”.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.