Mbyllet procesi i fiskalizimit – 8900 biznese të vogla mbeten jashtë, pritet të kalojnë në status pasiv

Çdo biznes që funksionon në vend duhet që nga data 1 Korrik 2022 e në vijim të lëshojë vetëm fatura të fiskalizuara, në të kundërt do të gjobitet. Data 30 Qershor ka qenë dhe afati i fundit i vendosur nga Ministria e Financave për të gjitha subjektet aktive në Shqipëri që të bëhen pjesë e procesit të fiskalizimit.
Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, në total janë 102.779 tatimpagues të pajisur me certifikatë fiskalizimi, ndërkohë që janë lëshuar afro 330 milionë fatura të fiskalizuara. Biznesi i madh tashmë është i gjithë pjesë e faturimit elektronik, ndërsa janë ende 8900 biznese të vogla që nuk janë fiskalizuar.
Sipas Ministres së Financave këto janë biznese që nuk kanë pasur qarkullim gjatë vitit të fundit dhe që pritet të kalojnë në status pasiv. Vitin që lam pas qeveria vendosi të shtyjë aplikimin e gjobave për bizneset që nuk janë fiskalizuar, duke iu lënë atyre afat deri më 30 Qershor 2022. Pas kësaj date, është e detyrueshme që që të gjitha bizneset të lëshojnë vetëm fatura elektronike, si pjesë e projektit të fiskalizimit, duke shmangur kështu çdo faturë fizike.
Vënia në jetë e këtij projekti ka si qëllim shmangien e informalitett dhe evazionit fiskal përmes raportimit elektronik në kohë reale. Nga data 1 Shtator ka nisur zyrtarisht të aplikohet edhe faza e tretë e Fiskalizimit për transaksionet me para në dorë biznes-konsumator (B2C), duke e vendosur kështu të gjithë sistemin në funksion të plotë.
Elisabeta Dosku / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.