Mbyllja, bizneset përdorën më pak energji – INSTAT: Rritje pësoi konsumi nga familjarët, prodhimi u dominua nga HEC-et publike
Përdorimi i energjisë elektrike nga bizneset dhe konsumtorët e tjerë jofamiljarë gjatë vitit 2020 u ul me 6.7% në raport me një vit më parë, duke reflektuar mbylljen e aktiviteteve si pasojë e COVID-19. Të dhënat raportohen nga Instituti i Statistikave në vend, ndërkohë që ndryshe paraqitet situata me konsumatorët familjarë, ku përdorimi i energjisë u rrit me 7.8%, në raport me vitin 2019.
Ndërkaq, gjatë vitit që lamë pas prodhimi i energjisë u rrit me 2.1%, ku hidrocentralet publike prodhuan 58.2% të totalit, hidorcentarlet private e koncesionare 41.2%, ndërsa 0.6% u prodhua nga impantet fotovoltaike. Rritje me 2% pësoi edhe importi i energjisë, ndërkohë që gjatë 2020-ës eksprti bruto i energjisë u rrit me 25% në raport me një vit më parë. Sipas të njëjtave të dhëna, humbjet në rrjet kanë arritur vlerën 1.632 GWh nga 1.653 GWh, duke shënuar kështu një rënie me 1,3%.
Humbjet në transmetim janë rritur me 2,1% dhe pesha që zënë në totalin e humbjeve në rrjet është 10,6%. Humbjet në shpërndarje zënë një peshë më të madhe, rreth 89,4% të humbjeve në rrjet dhe kanë rënëme 1,7%,krahasuar me vitin2019. Më herët, Enti Rregullator i Energjisë raportoi edhe një rënie të nivelit të arkëtimeve me 2.6% gjatë vitit që lamë pas, në raport me vitin 2019, duke u regjistruar në 95.8%, nga 98.4% që ishte një vit më parë.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.