MBZHR në mbështetje të fermerëve: Shpërndan ushqime për kafshët në zonat e përmbytura
Sipas Njoftimit të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në vijim të thirrjes të ministres së Bujqësisë Milva Ekonomi, strukturat që po menaxhojnë situatën e krijuar nga reshjet, kanë nisur shpërndarjen e bazës ushqimore për kafshët në qarqet që u prekën së fundmi nga dalja e ujit në sipërfaqe.
Sipas njoftimit në vijim të masave mbështetëse nga MBZHR për fermerët blegtorë, këtë të shtunë u shpërndanë ushqime për kafshët në 5 ferma të qarkut të Durrësit që mbarështojnë të imta si dhe nga reshjet e ditëve të fundit nuk ka pasur humbje të gjësë së gjallë në qarkun e Durrësit por vetëm dëme në bazëdhe përmbytje të kullotave.
“Shpërndarja e ushqimeve për bagëtitë e imëta në zonat e përmbytura në qarkun e Durrësit u bë pas verifikimit të dëmeve në stalla, kullota dhe bazë ushqimore. Fermerët përfitues ishin nga njësia administrative e Perlatit, Sukth”, shkruhet në njoftim.
Në njoftim theksohet se më herët, strukturat e MBZHR kanë shpërndarë 36 ton ushqime për kafshët, më 12 janar në disa zona të qarkut Shkodër, si Ana e Malit, Obot, njësia administrative Goricë dhe Dajc të cilat u përmbytën nga reshjet e shiut. Kurse sasia e dytë e bazës ushqimore u shpërnda më 28 janar në njësinë administrative Ana e Malit, Muriqan, Dajc dhe Mushan, ndërsa gjatë ditës së premte, afro 2 ton ushqime për derrat dhe 0.5 ton vitamina e suplemente janë shpërndarë tek 20 fermerë të këtyre zonave.
MBZHR bën me dije se vetëm në dy javët e fundit, në njësinë administrative të Dajcit dhe Anës së Malit, që gjenden akoma në pushtetin e ujit, janë shpërndarë rreth 81 ton bazë ushqimore.
“Ministria e Bujqësisë ka ndjekur me vëmendje situatën e krijuar prej një muaji duke ofruar mbështetje për të gjithë fermerët që u dëmtuan nga pasojat e reshjeve të shiut dhe deri më tani, gjendja shëndetësore e gjësë së gjallë është e mirë dhe shërbimi veterinar monitoron hap pas hapi situatën. Aktualisht është evakuuar vetëm një fermë me 300 krerë bagëti e imët drejt një zone të sigurt, deri në tërheqjen e ujërave nga sipërfaqet,” shkruhet në njoftim.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.