Më 4 dhe 5 Tetor, Takimi II Ministerial i Ballkanit Jugor – Mblidhen ministrat e jashtëm, brendshëm dhe të energjisë

Ditën e mërkurë dhe të enjte, ministrat e Shqipërisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë do të mblidhen në Selanik për takimin e dytë ministerial mes këtyre vendeve.
Takimi është pjesë e strategjisë së diplomacisë greke për forcimin e stabilitetit në rajon dhe për bashkëpunimin mes vendeve fqinje të Ballkanit Jugor.
Ministrat e jashtëm pritet të ndajnë ide mbi mënyrën se si mund të rritet bashkëveprimi ndërinstitucional dhe do të shkëmbejnë praktika të mira si në nivel zyrtar, ashtu edhe mes përfaqësuesve të shoqërisë civile, universiteteve dhe think-tankeve.
Fokusi i diskutimeve pritet të jenë sfidat e përbashkëta të rajonit si çështjet e sigurisë dhe lufta ndaj terrorizmit e radikalizmit. Ministrat e Brendshëm të katër vendeve do të mund të shkëmbejnë mendime mbi menaxhimin e kufijve lidhur me krizën e emigracionit, por edhe menaxhimin efektiv të problemeve si trafikimi njerëzor.
Sipas deklaratës për shtyp, bazuar edhe tek situata e zjarreve që goditi vendin tonë gjatë kësaj vere, ministrat e brendshëm do të diskutojnë edhe plane bashkëpunimesh në fushën e mposhtjes së zjarreve.
Si pjesë e axhendës së zhvillimit të bashkëpunimit pozitiv në rajon, në këtë takim të dytë ministerial do të përfshihen edhe ministrat e energjisë për të diskutuar çështje të këtij sektori. Qëllimi mbetet ai i forcimit të sigurisë energjetike dhe promovimit të rrjeteve të interkonjeksionit të energjisë elektrike.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.