Më e keqja ka kaluar? Sejko: “Ndikimi negativ i Covid-19 në ekonomi po zbutet”
Ekonomia shqiptare po shfaq premisa të një rimëkëmbjeje graduale në tremujorin e tretë. Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vlerëson se rënia e arriti pikun në tremujorin e dytë, ndërsa efekti negativ i epidemisë së Covid-19 po zbutet gradualisht. Megjithatë, Guvernatori Gent Sejko tha se edhe në gjysmën e dytë të vitit ekonomia do të vazhdojë të bjerë, ndonëse me ritme më të ulëta. Prodhimi kombëtar pritet t’i kthehet rritjes vetëm vitin e ardhshëm, por pasiguria e lidhur me ndikimet e pandemisë në ekonomi ngelet ende e lartë.
“Relaksimi i masave të distancimit social gjatë fundit të tremujorit të dytë si dhe stabilizimi monetar dhe financiar i vendit kanë krijuar premisa për një rikuperim gradual në periudhën në vijim. Këshilli Mbikëqyrës gjykon se efekti pandemisë në ekonomi do të vijë progesivisht drejt reduktimit gjatë tremujorit në vijim ndonëse rikuperimi pritet të jetë gradual dhe balanca e rreziqeve pritet të jetë në krahun e poshtëm. Në skenarin bazë aktiviteti ekonomik në vend pritet të ketë shënuar pikë ngadalësimi në tremujorin e dytë, do të vazhdojë të mbetet në territor negative në dy tremujorët në vijim dhe do t’i kthehet rritjes në vitin 2021.” – u shpreh guvernatori.
Guvernatori vlerësoi sërish rolin që ka luajtur sektori bankar në përballimin e pasojave të krizës, duke marrë përsipër koston e shtyrjes për gjashtë muaj të kësteve të kredisë, por edhe duke vazhduar kredidhënien. Sejko tha se për qershorin rritja vjetore e kredisë arriti në 7%, e mbështetur edhe nga skemat e garancisë sovrane të qeverisë shqiptare.
“Këshilli Mbikëqyrës vlerëson se sektori bankar ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në amortizimin e goditjeve të marra nga kriza. Kredia për sektorin privat vijoi të shënojë rritje në tremujorin e dytë duke kulmuar në nivelin 7% në muajin qershor dhe duke i mbështetur familjet shqiptare dhe bizneset me likuiditetin e nevojshëm për përballimin e krizës. Gjithashtu ky sektor ka marrë mbi vete një pjesë të kostove financiare të krizës duke lehtësuar barrën për sektorin privat. Këshilli Mbikëqyrës vëren se vijimi i kësaj përqasje të sektorit bankar ndaj kredisë, e cila është e favorizuar edhe nga instrumentet e Garancisë Sovrane të qeverisë do të jetë një parakusht i nevojshëm për rikuperimin e ekonomisë në të ardhmen.”
Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mërkurën të mbajë normën bazë të interesit të pandryshuar në nivelin 1%. Megjithatë, në deklaratën zyrtare theksohet sërish se rreziqet ngelen të larta, çka mund ta bëjë të nevojshëm një lehtësim të mëtejshëm gjatë muajve të ardhshëm. Banka e Shqipërisë pret që inflacioni të rikthehet në objektiv vetëm në vitin 2022.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.