Më pak aksidente rrugore – INSTAT: Rënie me 11.9% në muajin maj. Tirana më problematike
Ulet me 11.9 % numri i aksidenteve rrugore në vendin tonë gjatë muajit maj, krahasuar më të njëjtën periudhë të një viti më parë. Referuar të dhënave të institutit të statistikave INSTAT rezulton se në muajin Maj 2018 numërohen 155 aksidente rrugore nga 176 aksidente të ndodhur në Maj 2017. Ndërkohë që numri i personave të aksidentuar është 198 nga 240 që ishte një vit më parë.
Bazuar në tabelat e publikuara nga Instituti i Statistikave rezulton se numri më i lartë i aksidenteve është shënuar në Tiranë me 69 të tillë e ndjekur nga Durrësi me 20 dhe Lezha me 17 aksidente, megjithatë pothuajse në të gjitha qarqet e vendit numri i aksidenteve ka qenë në rënie dhe më mirë pozicionohet qarku i Kukësit vetëm më 1 aksident .
Në Maj 2018, aksidentet rrugore, në 81,3 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup mosha 25 – 35 vjeç duke zëne 26,5 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Sipas INSTAT, Aksidentet në këtë grup moshe janë ulur me 22,6 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në pesëmujorin e parë 2018, aksidentet rrugore, në 19,6 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është ulur 1,5 % krahasuar me të njëjtën periudhe të një viti më parë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.