Më pak azilantë në Gjermani, bie ndjeshëm fluksi në 2016, shqiptarët të gjashtët

Numri i azilkërkuesve në Gjermani ka rënë me më shumë se dy të tretat gjatë vitit të kaluar. Shifra ka zbritur nga 890 mijë në vitin 2015, në vetëm 280 mijë gjatë vitit të kaluar.
Sirianët janë grupi më i madh azilkërkues, dhe ndiqen nga afganët e irakianët. Shqiptarët janë të gjashtët. Bëhet fjalë për kërkesat për azil dhe jo kërkesat e aprovuara. Vetëm 57% të sirianëve i`u është aprovuar kërkesa, ndërkohë që për qytetarët nga Eritrea kjo normë shkon në 75%.
Për afganët kjo normë fiksohet në 20% dhe për pakistanezët në vetëm 2%. Mesatarja e pranimit fiksohet në 37%. Pavarësisht se një pjese të madhe i`u është refuzuar azili, atyre i`u është dhënë një formë alternative mbrojtje duke mos i deportuar nga Gjermania.
Një numër i lartë, prej rreth 55 mijë individësh është larguar vullnetarisht nga vendi. Ministri i brendshëm gjerman deklaroi se, rënia e fluksit të emigrantëve është rrjedhojë e mbylljes së të ashtuquajturës rruga ballkanike dhe marrëveshjes mes Turqisë dhe Bashkimit Europian.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.