Më pak emigrantë – Efektet e “Brexit” në Britani, shifra më e ulët në dy vite

Migrimi neto në Britani ka rënë në nivelin më të ulët në 2 vite, nxitur pjesërisht prej largimit të njerëzve nga vendet e Europës Lindore. Megjithatë, zyra Kombëtare e Statistikave deklaroi se është shumë herët për të vënë në dukje efektet afatë-gjatë në emigrim prej Brexit.
Të dhënat e zyrës Kombëtare të Statistikave treguan se 273 mijë njerëz kanë hyrë në Britani vitin e kaluar, në rënie me 49 mijë nga viti 2015. Migrimi neto i qytetarëve të Bashkimit Europian ishte 165 mijë, në rënie me 6 mijë nga viti 2015.
Vetëm numri i qytetarëve nga Bullgaria dhe Romania ka patur një rritje me 19 mijë. Të dhënat tregojnë se numri i emigrantëve nga Bashkimi Europian që punojnë në Britani ka rënë në fund të 2016-ës, duke treguar se Brexit dhe pasiguritë politike e kanë bërë vendin më pak të tërheqshëm për punë.
Shqetësimet mbi emigrimin kanë qenë një faktor kryesor në referendumin e Qershorit 2016 për të dalë nga Bashkimi Europian. Kryeministrja Theresa May ka premtuar ta ulë migrimin neto drejt Britanisë në 100 mijë në vit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.