Më pak transaksione me kartë – Shifrat e qershorit, rënia e parë për këtë vit, pavarësisht sezonit turistik
Banka e Shqipërisë ka publikuar të dhënat e përditësuara të instrumenteve të pagesave gjatë qershorit, ku vihet re një rënie e numrit të transaksioneve dhe e vlerës së tyre në përdorimin e kartave. Kjo është rënia e parë për këtë vit, paçka se qershori shënon edhe fillimin e sezonit turistik, dhe flukset e turistëve, paçka se ende të vogla në qershor, rrisin përdorimin e transaksioneve me karta.
Kështu, gjatë qershorit numri total i transaksioneve me karta ka rënë në 2.35 milionë, nga rreth 2.37 milionë që ishte në muajin maj, ndërkohë që në vlerë bëhet fjalë për 25.59 mld lekë, nga 25.62 mld lekë që ishin në muajin maj të këtij viti. Një tjetër tregues, ai i tërheqjeve cash nëpër pikat ATM regjistrohet në rënie, si në vlerë ashtu edhe në numër, tregojnë shifrat zyrtare nga Banka e Shqipërisë.
Ndërkohë, një prej treguesve më të rëndësishëm të tranzicionit drejt parasë elektronike, ai i pagesave nëpërmjet terminaleve POS, regjistron një rritje të lehtë gjatë qershorit, si një numër ashtu edhe në vlerë. Kështu, gjatë qershorit pagesat nëpërmjet terminaleve POS ishin rreth 653 mijë, nga rreth 642 mijë që ishin gjatë muajit paraardhës.
Në vlerë ndërkohë, bëhet fjalë për rreth 2.88 mld lekë pagesa, nga rreth 2.83 që ishin gjatë majit. Treguesi tjetër me vlerë për tranzicionin drejt parasë elektronike ndërkohë, ai i homebanking, regjistrohet gjithashtu në rritje të lehtë gjatë qershorit, me rreth 415 mijë transaksione të kryera, nga rreth 398 mijë që ishin gjatë MAJIT.
Roel Korkuti / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.