Më pak vaksina të J&J javën e ardhshme. SHBA do të shpërndajë 85% doza më pak se këtë Javë
Qeveria e Shteteve të Bashkuara do të shpërndajë thuajse 85% më pak vaksina të Johnson & Johnson ndaj Covid-19 në javën e ardhshme, sipas Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve. Vetëm 785,500 doza të J&J do të shpërndahen javën e ardhshme, krahasuar me 4.95 milionë këtë javë. Një shkrim i New York Times theksoi javën e kaluar se punëtorët ne një fabrikë në Baltimore, që prodhon doza të AstraZeneca dhe J&J, përzien ingredientë të të dy vaksinave, duke prishur 15 milionë doza të J&J. Megjithatë, fabrika në Baltimore nuk është autorizuar ende nga Administrata e Barnave dhe burimet për Reuters bënë të ditur se vaksinat nga fabrika nuk janë përfshirë në programin e imunizimit deri më tani. J&J ka përsëritur se pret të dërgojë 100 milionë doza tek qeveria amerikane deri në fund të muajit Maj.
Sipas të dhënave të Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, Kalifornia është marrësi kryesor i vaksinës së J&J, ndjekur nga Teksasi dhe Florida. Shpërndarja e vaksinës në Kaliforni ka rënë me 88%, me shtetin që pritet të marrë një maksimum prej 67,600 doza javën e ardhshme. Presidenti Joe Biden rriti këtë javë grupmoshën e përshtatshme për vaksinim ndaj Covid-19, duke përfshirë të gjithë amerikanët 18-vjeç e sipër, nga data 19 Prill.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.