Më pesimistë për ekonominë – Bie besimi i bizneseve dhe konsumatorëve
Besimi i bizneseve dhe konsumatorëve pësoi një rënie të papritur në tremujorin e tretë të këtij viti. Sipas vrojtimit të Bankës së Shqipërisë, treguesi i ndjesisë ekonomike ra me 4% krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Rënia e besimit të bizneseve dhe konsumatorëve vjen e papritur, po të kemi parasysh se në gjysmën e parë të këtij viti ekonomia ka regjistruar rritjen më të lartë në pothuajse një dekadë, duke kaluar kufirin e 4%.
Treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit ra me 1.9 pikë përqindje gjatë tremujorit të tretë, duke vijuar prirjen rënëse të tre tremujorëve të mëparshëm. Kjo tendencë e ka zhvendosur treguesin rreth 9.6 pikë përqindje poshtë mesatares historike të tij.
Besimi në sektorin e industrisë ra lehtë me 0.1 pikë përqindje poshtë nivelit të shënuar një tremujor më parë. Ky përkeqësim u përcaktua kryesisht nga rritja me mbi 6 pikë përqindje e balancës së inventarëve. Rritja e inventarëve nënkupton një rënie të shitjeve në raport me prodhimin e bizneseve.
Besimi në sektorin e shërbimeve vazhdoi të bjerë edhe gjatë tremujorit të tretë, me 3.2 pikë përqindje. Kjo rënie u ndikua nga rënia e të dyjave balancave formuese të tij, me përkatësisht 4.2 pikë përqindje ecuria e biznesit dhe 2.2 pikë përqindje ecuria e kërkesës.
Treguesi i besimit në sektorin e tregtisë ra me 5.3 pikë përqindje, kryesisht nga përgjigjet më pesimiste për ecurinë e biznesit dhe nga rënia e pritjeve për ecurinë e punësimit.
Treguesi i besimit konsumator ra me 0.7 pikë përqindje dhe rezulton i zhvendosur rreth 0.8 pikë përqindje nën mesataren historike të tij. Rënia pasqyroi kryesisht rënien e blerjeve të mëdha dhe përkeqësimin e situatës financiare të pritur të familjes.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.