Më shumë fonde për rrugën Tepelenë-Bënçë- Lekdush – FSHZH: Nevojiten punime shtesë. Akordon 49.2 mln lekë për 2018
Segmenti rrugor Tepelenë-Bençë-Lekdush do të marrë mbi 67.5 milionë lekë të tjera nga buxheti i shtetit për punime shtesë. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur procedurën e prokurimit publik për këto ndërhyrje, të cilat janë parë si domosdoshmëri për të rritur sigurinë rrugore dhe qëndrueshmërinë e rrugës.
Fondi i akorduar për vitin 2018 është 49.2 milionë lekë, ndërsa pjesa tjetër është parashikuar për vitin e ardhshëm.
Në zbatimin e projektit fillestar u pa e domosdoshme shkurtimi i një pjese rruge dhe mostrajtimi i segmentit ka sjellë problematika të shumta. Duke qenë se ky segment rruge ka rëndësi të veçantë pasi paraqet një atraksion turistik në zhvillim, është parë me interes që të trajtohet në parametrat e investimit fillestar pa cënuar projektin bazë.
Grafiku i punimeve parashikon një sërë ndërhyrjes në disa pjesë të rrugës, të cilat përfshijnë punime për asfaltimin si dhe eliminimin e rrëshqitjeve, konkretisht në hyrje të Urës Skaran dhe pjesë të tjera të këtij aksi rrugor. Për parandalimin e këtij fenomeni është planifikuar ndërtimi iskarpateve të shkallëzuara.
Ndërkohë, do të kryhen punime për ndërtimin e trotuareve dhe vendosjen e sistemit të ndriçimit në fshatin Bënçë, duke qenë së rruga kalon mes përmes tij.
Në projektin fillestar nuk ishte parashikuar asnjë element i një rruge urbane, por përmirësimi i parametrave teknikë të rrugës dhe shtresat asfaltike do të sjellin rritjen e shpejtësisë së lëvizjeve të mjeteve të transportit, çka nënkupton se shtohet rreziku për aksidente.
Po ashtu, do të bëhet edhe rishikimi i mureve pritës me qëllim mbrojtjen e trupit të rrugës nga masat e rrëshqitshme, një fenomen i cili është vlerësuar me rrezikshmëri të lartë. Ndërkohë, do të bëhet edhe vendosja e sinjalistikës vertikale dhe horizontale sipas përcaktimeve të projektit fillestar.
Kohëzgjatja për zbatimin e kontratës parashikon një periudhë kohore 2 muaj nga nënshkrimi i saj.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.