Më shumë konsum, BSH: Ja ku është mbështetur rritja

Një nga zhvillimet më pozitive në ekonomi vitin e kaluar ishte një rritje e qëndrueshme e konsumit privat. Ky komponent përbën rreth 80% të prodhimit të brendshëm të vendit dhe është një element përcaktues në ritmet e rritjes ekonomike.
Sipas Bankës së Shqipërisë, në tremujorin e tretë 2016, konsumi privat regjistroi rritje për të pestin tremujor radhazi, me 1.6% me bazë vjetore. Konsumi privat regjistroi rritje në të tre kategoritë përbërëse, mallra konsumi, shërbime dhe mallra të qëndrueshme.
Banka e Shqipërisë vlerëson se rritja e konsumit është mbështetur nga rritje e njëkohshme në kolonat kryesore të të ardhurave të familjeve. Në radhë të parë, mbështetje pozitive dha rritja e të ardhurave të disponueshme, e cila u ndikua kryesisht nga rritja e punësimit, ritmet pozitive të treguesit të fondit të pagave dhe nga zgjerimi i remitancave gjatë tremujorit të tretë të vitit.
Në terma realë, rritja e të ardhurave të disponueshme u mbështet edhe nga vlerat e ulëta të inflacionit. Rritja e dobët e çmimeve ka ndihmuar ruajtjen e fuqisë blerëse të parasë.
Gjithashtu, ulja e pasigurisë dhe e normave të interesit ka ndikuar pozitivisht në prirjen e konsumatorëve për të shpenzuar. Lehtësimi i standardeve të kreditimit gjatë dy viteve të fundit ka qenë një tjetër faktor me ndikim pozitiv në trendin rritës të kredisë konsumatore.
Në muajin nëntor, rritja e kredisë konsumatore arriti në 11.4%, duke nxitur pozitivisht prirjen për konsum. Sipas parashikimeve të Bankës së Shqipërisë, tregues të ndryshëm të shpenzimeve konsumatore mbështesin vlerësimin për rritje të mëtejshme të konsumit privat në tremujorin e katërt të vitit 2016.
Madje, treguesit cilësorë nga vrojtimet paraqesin një pamje më optimiste sesa treguesit e tërthortë sasiorë. Treguesit e besimit në sektorët e shërbimeve, tregtisë dhe besimi konsumator qëndrojnë mbi mesataret historike në tremujorin e katërt.
Bazuar në vrojtimin e aktivitetit kreditues, bankat kanë lehtësuar kushtet e kreditimit dhe raportojnë se kërkesa e konsumatorëve për kredi në tremujorin e katërt është rritur.
Të dhëna sasiore që mbështesin rritjen e shpenzimeve konsumatore janë edhe rritja e importit të mallrave ushqimore dhe e importit të mjeteve motorike.
Ersuin Shehu/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.