Më shumë leje ndërtimi – 197 për tremujorin e dytë të vitit

Numri i lejeve të ndërtimit në vend regjistroi një tjetër rritje në tremujorin e dytë të këtij viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, numri total i lejeve të ndërtimit të miratuara në të gjithë vendin arriti në 197, nga 101 leje në tremujorin e parë. Ndërkohë, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë, numri i lejeve është dyfishuar.
Qarqet me numrin më të lartë të ndërtimeve të reja në tremujorin e dytë të këtij viti ishin Tirana me 59 leje, e ndjekur nga Fieri me 37 dhe Vlora e Elbasani me 22. Mbështetur në të dhënat më të detajuara nga INSTAT, vërehet se ka një fluks të shpërndarë lejesh të reja, si për ndërtimet rezidenciale, ashtu edhe për ato tregtare.
Nga 121 lejet për ndërtesa banimi, mbizotërojnë ndërtimet deri në dy kate, ndërkohë që lejet për pallate të reja ishin vetëm 29. Ndërsa mes lejeve për ndërtime jo rezidenciale, mbizotërojnë kryesisht ndërtesat për aktivitet industrial dhe tregtar.
Sipas të dhënave nga INSTAT, ndërtimi ka qenë ndër kontribuesit kryesorë të rritjes ekonomike në vitet e fundit. Për tremujorin e parë të këtij viti, prodhimi i sektorit të ndërtimit u rrit me afro 14% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Megjithatë, deri tani kontributi kryesor brenda sektorit i takon veprave inxhinierike, kryesisht atyre në energjetikë.
Në tregun e pasurive të paluajtshme, pavarësisht përmirësimeve, rritja ngelet ende e ngadaltë dhe e paqëndrueshme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.