Më shumë shpenzime për arsimin – 59.5 mld lekë parashikohen për këtë sektor deri në vitin 2021
Rritet buxheti për shpenzimet në sektorin e arsimit për vitet 2018-2021. Sipas të dhënave të siguruara nga televizioni SCAN rezulton se për vitin e ardhshëm shpenzimet do të rriten deri 7.6 miliardë lekë krahasuar me vitin 2018. Buxheti për shpenzime nga 50.3 miliardë lekë që është në 2018-ën, do të shkojë në 57.9 miliardë lekë për vitin e ardhshëm, duke arritur në 3,31% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Por shpenzimet parashikohen të vijojnë të rriten edhe në vitet në vijim ku për vitin 2020 janë parashikuar të arrijnë deri në 59.2 miliardë lekë dhe në vitin 2021, deri në 59.5 miliardë lekë, por me një ulje ndaj PBB-së deri në 2.98%.
Këtë vit shpenzimet në këtë sektor përfshinë ofrimin falas të teksteve shkollore për 190 mijë nxënës të arsimit parauniversitar ndër këta 125 mijë nxënës nga klasa e parë në klasën e katërt shpenzim i cili llogaritet në shumën prej 600 milionë lekësh, transport i 28 mijë nxënësve dhe 10 mijë mësuesve, deri në 680 milionë lekë si dhe pajisja me laborator shkencorë, kimie ,fizike dhe biologjie të shkollave të mesme në vend.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.