Më shumë turistë – INSTAT: Numri i vizitorëve të huaj në rritje me 13%

Numri i shtetasve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë në katër muajt e parë të vitit është në rritje.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, për periudhën janar-prill kanë hyrë rreth 943 mijë shtetas të huaj, 13% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Shifrat e INSTAT tregojnë se prirja e turizmit duket pozitive edhe për këtë vit.
Rreth 235 mijë shtetas të huaj kanë deklaruar shprehimisht se e vizitojnë Shqipërinë për pushime. Ky numër është dy herë e gjysmë më i lartë krahasuar me katërmujorin e parë 2016.
Në vitet e fundit, Shqipëria është një destinacion më i promovuar nga operatorët turistikë. Këtu ndikon fakti se Shqipëria ende është një destinacion turistik pak i eksploruar nga europianët, por edhe nga çmimet relativisht të lira krahasuar me tregjet konkurrente.
Ndërkohë, daljet e shtetasve shqiptarë jashtë vendit për katër muajt e parë të vitit janë rritur lehtë, me 5.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas INSTAT, në katër muaj janë regjistruar rreth afro 1.5 milionë dalje të shtetasve shqiptarë jashtë vendit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.