Më shumë vëmendje për fëmijët autikë – Manastirliu: Rehabilitojmë Qendrën e Mirërritjes brenda këtij viti

Qendra Kombëtare e Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve me probleme të neurozhvillimit, e cila trajton edhe fëmijët me çrregullime të spektrik autik do të rikonstruktohet brenda këtij viti. Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mborjtjes Sociale, Ogerta Manastirliu gjatë vizitës së saj pranë kësaj qendre, në kuadër të ditës ndërkombëtare të autizmit.
“Në këtë ditë që na fton të gjithëve për më shumë vëmendje për fëmijët me çrregullime të spektrit autik, jam këtu për të lajmëruar rehabilitimin e plotë të Qendrës Kombëtare të Mirërritjes, e cila trajton rreth 330 fëmijë me autizëm në vit, nga të cilët 150 raste të reja të trajtuan në vitin 2017. Do të garantojmë kushte me standart të lartë për fëmijët me çrregullime të spektrit autik dhe fëmijët me aftësi ndryshe”, u shpreh Manastirliu.
Më tej, Manastirliu shtoi se shërbimet do të zgjerohen gjithashtu edhe në 6 qendra rezidenciale dhe 3 qendrat ditore publike në Shqipëri, që trajtojnë fëmijë me çrregullime të spektrik autik. Ajo u ndal gjithashtu edhe te pagesat e KEMP-it, që pë4rfitohen jo nga fëmijët autikë, por edhe kujdestarët e tyre.
“860 persona me autizëm trajtohen me pagesa në masën 10 mije lekë/muaj dhe po të njëjtën masë pagese përfitojnë edhe për shërbimin e ndihmësit personal (kujdestarit). E kemi lehtësuar procedurën e përfitimit të pagesës nga KMCAP. Sot personi me aftësi të kufizuar nuk paraqitet më në komision, pasi vlerësohet vetëm dokumentacioni që përmban dosja e tij. Për personat me autizëm nuk ka më rikomisionim të përvitshëm dhe kjo është një lehtësi e madhe për qindra prindër që çdo vit bashkë me fëmijët e tyre -që edhe ata duhet të paraqiteshin në komisione- kalonin një kalvar të vërtetë mundimesh”, tha Manastirliu.
Referuar të dhënave të fundit, numri i fëmijëve të cilët trajtohen në këtë qendër, por edhe në qendra të tjera publike edhe nën moshën 2-3 vjeç ka ardhur duke u rritur. Ndërkohë, sipas të dhënave të shërbimit psikiatrik, numri i rasteve të reja në Njësinë e Psikiatrisë së Fëmijëve dhe Adoleshentëve është rritur ndjeshëm, rreth 200 raste në vit.
Ndërkohë, Manastirliu deklaroi më tej se sa i takon burimeve njerëzore, po punohet në disa drejtime në këtë kuadër.
“Në vitin 2018 pritet të rekrutohen 7 mjekë në specializimin e fëmijëve dhe adoleshentëve, kuota më e lartë historike; viti 2019 është i pari pas 8 vitesh kur pritet të mbarojnë studimet 5 specializantë të rinj; edhe ngritja e Urdhrit të Psikologut dhe Punonjësit Social do rrisë mundësitë për sigurimin e një shërbimi më cilësor për fëmijët me çrregullime të spektrit autik.”
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.