Më të varfrit në Europë – Eurostat: Shqipëria ka normën më të ulët të konsumit dhe PBB për frymë
Shifrat që vërtetojnë se shqiptarët janë më të varfrit në Europë nuk kanë të sosur.
Të dhënat më të fundit të Eurostat, që i referohen vitit 2017, tregojnë se, shqiptarët kanë jo vetëm normën më të ulët në Europë të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë por edhe normën më të ulët të konsumit për frymë. Ky i fundit fiksohet në vetëm 37% të mesatares europiane, çka do të thotë se, shqiptarët janë në gjendje të blejnë mallra konsumi sa 1/3 e europianëve.
Në krahasim me shtetet më të pasura ndërkohë, si Luksemburgu, konsumi i shqiptarëve është 3.5 herë më i vogël. Në krahasim me rajonin, ku në analizën e Eurostat mungon vetëm Kosova, ndjekësja më e afërt është Maqedonia, me një konsum aktual në 41% të mesatares europiane. Më pas radhitet Bosnje Hercegovina me 42%. Malazezët me një normë konsumi në 57% të mesatares europiane duket se janë ata me mirëqenien më të lartë në rajon, madje edhe mbi nivelin e bullgarëve.
Edhe për PBB për frymë shqiptarët janë të fundit në Europë e në rajon, me një normë sa 29% e mesatares europiane thotë Eurostat në të dhënat më të fundit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.