Media, edukuese e audiencës – AMA organizon tryezë diskutimi për të evidentuar problemet
Media ka si qëllim që të informojë publikun por edhe ta edukojë atë. Autoriteti i Mediave Audiovizive ka zhvilluar një tryezë të rrumbullakët me ekspertë dhe përfaqësues të medias për të nxjerrë në pah disa nga problematikat të cilat ndikojnë tek teleshikuesit , për aq kohë sa nuk përdoren filtrat në çfarë trasmetohet. Sipas Luçiano Boçit dy janë problematikat në këtë drejtim, popullata beson gjithçka që trasmetohet dhe se mediat synojnë të komunikojnë.
“Ajo që ndodh është që gjithçka që vjen nga televizioni, sipas arketipit tonë, është e vërtetë dhe njerëzit e përjetojnë si lajm të vërtetë pa e filtruar fare. Kanë ngelur në pjesën e mënyrës se si përjetohet media dhe pjesa tjetër është që ne median gjithmonë e barazojmë me propagandën. Media e humbet atë rolin e saj dhe barazohet me propagandën. Madje këtu edhe vetë mediat janë shtyrë për fatin tonë të keq, pavarësisht polifonisë së mediave, mediat më shumë synojnë të komunikojnë se sa të informojnë”, u shpreh anëtari i komisionit të medias, Luçiano Boçi.
Fëmijët janë më të ekspozuar ndaj asaj që trasmetohet në televizion. Ministria e Arsimit për të “edukuar” brezin e ri ka përfshirë modulin e edukimit në arsimin bazë.
“Së pari unë do të thoja se ministria prej disa vitesh, jo vetëm në vitin e fundit, ka përfshirë në kurrikulën e arsimit bazë dhe në arsimin e mesëm të lartë lëndën e qytetarisë. Lënda e qytetarisë, sidomos në klasën e dhjetë, ka një temë të veçantë për informimin, pra e drejta për t’u informuar dhe lidhet me problematikat e informacionit, mënyra se si vjen ky informacion, ndryshimet teknologjike dhe si ka evoluar kalimi i këtij informacioni, interneti me avantazhet dhe disavantazhet e tij”, u shpreh këshilltarja Doriana Dervishi.
AMA e organizuan këtë tryezë diskutimi për të nxjerrë në pah problematikat që lidhen me rolin edukues të medias. Duke kërkuar nga institucionet përkatëse që të merren masat për këtë proces që është i vazhdueshëm.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.