Media italiane paralajmëron dorëheqjen e Zaev, Opozita kërkon zgjedhje të parakohshme – Çfarë po ndodh në Maqedoninë e Veriut?

Duket se vendimi negativ i Samitit të Liderave për të mos hapur negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut ka ndikuar thellë edhe në situatën e brendshme politike të vendit.
Në këtë mënyrë agjencia italiane e lajmeve ANSA ka siguruar informacion “nga burime të brendshme diplomatike” se kryeministri Zoran Zaev do të japë dorëheqjen nga posti duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. Nga vetë kreu i qeverisë nuk ka ende një konfirmim zyrtar.
Kjo është kthyer në një kërkesë legjitime të opozitës së vendit fqinj, e cila e cilëson si të pashmangshme këtë vendim, duke fajësuar totalisht Zaev për dështimin e negociatave.
Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, tha se Franca nuk është fajtore për mos marrjen e datës, por krimi dhe korrupsioni në Maqedoni. “Vendimi për mos marrjen e datës është dështim, por jo dështim i popullit maqedonas dhe qytetarëve të Maqedonisë. Është dështim i politikave të Zoran Zaevit dhe këtij pushtetit. Është politika, pa koncept, pa vizion me shumë krim, korrupsion, haram, mos punimi dhe mashtrim.
Pjesë e reagimeve është bërë edhe kreu i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. “Nëse ata nuk kanë guxim që të japin dorëheqje dhe të shkojnë në zgjedhje të parakohshme, sigurisht që Lëvizja BESA do të shfrytëzojë të gjitha mekanizmat institucional dhe të gjitha mekanizmat e një demokracie evropiane, siç pretendojmë të jemi, duke shfrytëzuar edhe mekanizmin e protestës që të bëjmë presion për zgjedhjet e parakohshme”, -pohoi Kasami. Opozita kërkon gjithashtu edhe formimin e qeverisë teknike, konform marrëveshjes së Përzhinës.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.