MEF: S&P nuk ndryshon notën e Shqipërisë – Në “B+” me perspektivë të qendrueshme, tërmeti do rrisë deficitin
Standard and Poor`s ka mbajtur të pandryshuar notën e borxhit sovran të vendit tonë, në B+ me perspektivë të qëndrueshme, njofton Ministria e financave dhe të Ekonomisë, pavarësisht se nga agjencia nuk ka ende asgjë publike. Sipas asaj që njofton vetë ministria, Agjencia e vlerësimit të kreditit pret një rritje të përkohshme të deficitit në vitin 2020 në nivelin 2.2% të PBB, duke qenë se qeveria do punojë intensivisht për ri-ndërtimin pas tërmetit, si dhe njëkohësisht do të vijojë me pastrimin e detyrimeve të prapambetura.
Në vitet më tej, agjencia projekton që deficiti buxhetor do të vijojë të reduktohet gradualisht përgjatë horizontit kohor afatmesëm.
Ajo projekton se borxhi publik neto do të bjerë poshtë nivelit prej 60% të PBB deri në vitin 2022, në ndjekje të rregullit fiskal më afat-gjatë të përcaktuar në ligjin organik të buxhetit për reduktimin e borxhit publik poshtë nivelit prej 45% të PBB.
Në këtë aspekt, ecuria mund të jetë edhe më e mirë në sajë të përpjekjeve të autoriteteve për të përmirësuar administrimin e mbledhjes së të ardhurave.
Agjencia vlerëson se autoritetet po vijojnë përpjekjet aktive për të përmirësuar profilin e borxhit publik, për të vijuar rritjen e maturitetit të tij, ulur risqet e rifinancimit dhe ato të kursit të këmbimit.
Në këtë aspekt, edhe pse agjencia nuk sheh ndonjë pengesë për huamarrje të sektorit publik në tregun e brendshëm, vlerëson dhe pret që qeveria do vijojë të shohë për mundësi më të mira për të marrë hua në tregjet e huaja të cilat ofrojnë maturitet afat-gjatë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.