Melenchon hyn në garë – “Komunisti” kalon Fillon në sondazhe, i “qepet” Le Pen

Gara Presidenciale në Francë po bëhet çdo ditë e më interesante. Ndërkohë që deri dje, kandidatët kryesorë në garë ishin tre, tashmë gara bëhet mes 4 kandidatëve. Jean Luc Melenchon i ekstremit të majtë, sipas sondazheve të fundit ka kaluar Francois Fillon, me 18% të votave kundrejt 17%.
Deri në fund të vitit të kaluar, Fillon ishte pretendenti për të fituar garën, ndërkohë që emri i Melenchon ishte vetëm sporadik. Gjasat e këtij të fundit që të zgjidhet president i Francës tashmë janë të barabarta me atë të kandidat republikan.
Në vend të në sondazhe renditet Emmanuel Macron i qendrës së majtë dhe Marine le Pen e ekstremit të djathtë, me pak më shumë se 23% të votave. Raundi i parë i zgjedhjeve do të zhvillohet më 23 prill, nga ku do ta dalin edhe emrat e dy finalistëve të garës përfundimtare të 7 majit. Me shumë gjasa këto dy emra do jenë: Macron dhe Le Pen.
Melenchon është kthyer në një fenomen në vend, dhe analistët e vlerësojnë potencialin e tij elektoral mjaft të lartë. Paraqitja e tij në dy debatet e para presidenciale ka rritur ndjeshëm pëlqimin e tij në elektorat.
Melenchon ka premtuar të rrisë shpenzimet me 273 miliardë euro dhe këto para do të financohen nëpërmjet taksave më të larta, luftës ndaj evazionit fiskal dhe rritjes më të shpejtë ekonomike. Masat e propozuara përfshijnë një rritje me 15% të pagës minimale në Francë.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.