Memorandumi Itali-Shqipëri, Orlando: Fati i negociatave varet nga rezultatet e Vetting-ut
Hapja e negociatave me Bashkimin Evropian do të përcaktohen nga rezultatet konkrete të reformës në drejtësi gjatë muajve të parë të vitit të ardhshëm.
Kështu është shprehur Ministri Italian i Drejtësisë Andrea Orlando, i cili ka theksuar se vendi i tij vlerëson masat e marra nga Shqipëria në forcimin e shtetit ligjor.
“Italia mbështet fuqimisht procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Ne mendojmë si shumë ambicioze zgjedhjen që ka bërë Shqipëria për të bërë reforma në shtetin e së drejtës dhe kjo përkon me hapat për çeljen e negociatave. Do të jetë shumë e rëndësishme që të gjithë këto veprime të reformës çfarë rezultati do të japin brenda 6 mujorit të parë të vitit që vjen”.
Gjatë vizitës në Shqipëri, Orlando ka nënshkruar me homologen Etilda Gjonaj një memorandum në fushën e drejtësisë, e cila parashikon rritje të bashkëpunimit në aspektet penale dhe legjislative.
“Ajo çfarë konkretizon ky memorandum është legjislacioni e paketës së tretë të reformës në drejtësi që ka të bëjë me profesionet e lira. Ashtu si dhe një bashkëpunim shumë të ngushtë në kodifikimin e legjislacionit procedurial dhe atë material si në atë civil dhe penal. Ky memorandum do ti japë një përmirësim këtij prioriteti që kemi. Marrëveshja përmban dhe bashkëpunimin për reformën peritenciare, jo vetëm në aspektin legjislativ por edhe atë institucional në ngritjen e kapaciteteve të stafeve të drejtorisë së përgjithshme të burgjeve dhe burgjeve, shërbimi i provës”.
Në konferencën e përbashkët për shtyp, Gjonaj theksoi vullnetin e plotë të Qeverisë Shqiptare për të çuar në fund reformën në drejtësi.
L.R/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.