Menaxhimi i emergjencave civile – Ministrja Xhaçka mbledh prefektët: “Zyra juaj është terreni”
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në një takim me 12 prefektët e sapoemëruar në vend, kërkoi një planifikim të qartë masash për parandalimin dhe për menaxhimin e Emergjencave Civile. Xhaçka kërkoi nga prefektët veprim të shpejtë dhe të zhdërvjellët, sipas pikave të një plani të qartë veprimi, të konceptuar si një Protokoll Tip Veprimesh në situata të jashtëzakonshme.
“Jemi në muajin nëntor dhe është shumë e domosdoshme që të marrim masa paraprake që të kemi një planifikim të saktë, si për parandalimin, edhe për menaxhimin e emergjencave civile. Prandaj, prioriteti ynë kryesor është garancia e sigurisë për komunitetin në çdo qytet, në çdo fshat ku ne do të jemi prezentë me plane të koordinuara mirë dhe me kapacitetet e nevojshme për të garantuar zgjidhje në çdo rast emergjence. Në çdo rast emergjencash dhe ngjarjesh të jashtëzakonshme, zyra juaj do të duhet të jetë terreni, sikurse kompetenca juaj është ndjekja e planit të veprimit hap pas hapi”, u shpreh Xhaçka.
Në ditët në vijim, ministrja Xhaçka do të thërrasë një takim të zgjeruar me të gjithë kryetarët e bashkive në vend dhe drejtuesit e njësive administrative për të koordinuar masat dhe për të dhënë orientimet për përballimin e emergjencave në ditët e vështira të dimrit.
Lorenc Rabeta/SCAN
Me prefektët për t'i dalë të keqes përpara
Në prag të muajve të vështirë të dimrit një ndër sfidat tona më të mëdha është përballimi i emergjencave civile. Me 12 prefektët e sapoemëruar, të ardhur nga radhët e ushtrisë, nisëm punën për një planifikim të qartë të masave, për të parandaluar dhe menaxhuar emergjencat. Prioriteti ynë kryesor si pushtet qendror e padiskutim edhe i pushtetit vendor është garancia e sigurisë së çdo banori në çdo qytet apo fshat që do të përballet me këto situata.
Posted by Olta Xhacka on Friday, November 17, 2017
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.