Menaxhimi i mbetjeve – Projektligji i 2015-ës nuk ka mundur ende të marrë votëbesimin në Kuvend

Mbetjet vazhdojnë të jenë një problem madhor në vendin tonë. Projektligji “Për sistemin e depozitës për menaxhimin e mbetjeve në Republikën e Shqipërisë”, edhe pse është një nismë e Këshillit të Ministrave, që në 9 shkurt të 2015-ës, nuk ka mundur të kalojë ende në parlament.
“Mbetjet” janë një pikë e ndjeshme në vendin tonë sa i përket reagimit të shoqërisë civile, bizneseve të riciklimit dhe vetë qeverisë.
Në fund të vitit të shkuar ka patur protesta të vazhdueshme të shoqërisë civile të cilat kundërshtonin lejimin e importit të mbetjeve në vend. Ky projektligj në nenin 17-të të tij parashikon një sërë sanksionesh administrative për ata që nuk zbatojnë ligjin, të cilat janë në gjoba me vlera të ndryshme:
- a) Çdo subjekt që tregton/importon produkte të përcaktuara në vendimin e Këshillit të Ministrave, të miratuar në zbatim të pikës 3, të nenit 5, të këtij ligji, pa u vendosur atyre shenjën dalluese të sigurisë, dënohet me gjobë në vlerën 1 000 000 (një milion) lekë;
- b) Çdo person që ka në administrim një pikë grumbullimi të mbetjeve, i cili nuk i kthen konsumatorit vlerën e depozitës, kur mbetja e dorëzuar është në përputhje me kërkesat e këtij ligji, dënohet me gjobë 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë;
- c) Çdo person që hedh në treg produkte, objekt të këtij ligji, me shenjën dalluese të sigurisë jo autentike dënohet me gjobë 100 000 (njëqind mijë) lekë;
- ç) Çdo person që prodhon, shpërndan, shet shenja dalluese të sigurisë së depozitës, me qëllim hedhjen në treg të produkteve objekt të këtij ligji dënohet me gjobë 1 000 000 (një milion) lekë.
Ky projektligj është parashikuar disa herë në programet 6 javore të kuvendit por asnjëherë nuk ka kaluar në parlament.
Aktualisht është i planifikuar për punimet 6 javore të Kuvendit, nga data 27 shkurt deri në 7 prill, por ende nuk dihet nëse do të merret në shqyrtim.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.