Menaxhimi i shpëtimit të Greqisë – Audituesit e BE: Tre programet kanë qenë pjesërisht të suksesshme

Menaxhimi nga Bashkimi Europian i tre programeve të shpëtimit për Greqinë gjatë krizës së Eurozonës ka pasur disa dobësi dhe ka qenë pjesërisht i suksesshëm, raportojnë audituesit europianë. BE dhe kreditorët ndërkombëtar kanë kanalizuar mbi 350 miliardë euro në ndihma financiare drejt Greqisë që prej vitit 2010, për të parandaluar falimentimin e vendit dhe uljen e efekteve të përhapjes ndaj anëtarëve të tjerë.
Për të marrë fondet, Athina ka ndërmarrë reforma kritike strukturore dhe masa jo-popullore të shtrëngimit të portofolit. “Programet kanë promovuar reformat dhe shmangur falimentimin e Greqisë, por aftësia e vendit për t’u financuar plotësisht në tregjet financiar mbetet një sfidë”, deklaron Gjykata Europiane e Audituesve. Institucioni është përgjegjës për vlerësimin e financave të Bashkimit Europian.
Vitin e kaluar, bëri të ditur se menaxhimi i Komisionit të Programeve të Shpëtimit për Irlandën, Portugalinë, Hungarinë, Letoninë dhe Rumaninë, ka qenë përgjithësisht i dobët. Programi i tretë për Athinën është ende nën funksion ndërkohë që vendi përpiqet të përfundojë reformat. Shpëtimi prej 86 miliardë euro mbaron në Gusht dhe Greqia pritet deri atëherë të ketë rifituar akses të plotë në financimin në tregje. Banka Qendrore Europiane, që së bashku me anëtarët e Eurozonës dhe FMN kanë kontribuar ndaj programeve, nuk është vlerësuar për shkak se nuk ka rënë dakord të ofrojë të dhëna, duke vënë në dyshim mandatin e audituesve për ta kërkuar, deklaron Institucioni.
“Disa pika kryesore nuk janë justifikuar mjaftueshëm. Komisioni nuk ka konsideruar gjerësisht kapacitetin zbatues të Greqisë”, thekson raporti. Në një përgjigje ndaj Gjykatës Europiane të Audituesve, Komisioni argumentoi se “projektimi dhe zbatimi i reformave janë ndërmarrë në një kontekst më të gjerë të parandalimit të vështirësive ekonomike si dhe pa qendrueshmërive në tregje”.
Të 3 programet e Greqisë janë ndërmarrë gjatë krizës më të keqe financiare që prej Luftës së Dytë Botërore. Komisioni përmendi edhe problemet politike në vend, por përfundoi duke thënë se objektivat kryesore të programit janë arritur.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.