Mensat sociale – Bashkia e Tiranës shtron drekën e Krishtlindjes, Veliaj: Solidaritet

Për të tretin vit radhazi, me rastin e festës së Krishtlindjes, Bashkia e Tiranës shtroi drekën të moshuarve dhe njerëzve në nevojë që frekuentojnë mensat sociale që janë ngritur në Tiranë. Kryebashkiaku, Erion Veliaj i shoqëruar edhe nga të rinj vullnetarë, zgjodhën që të uronin këtë festë, duke shërbyer drekën në mensën sociale në Kombinat.
“Sot është një ditë e veçantë, është Dita e Krishtlindjes, dita kur dashuria e mund urrejtjen, kur shpresa e mund frikën, kur drita e mund errësirën dhe unë besoj se në qytetin tonë, qytet me 1 milionë vetë, qytet hallemadh, por kur ka dashuri, kur ka mirësi, kur ka vullnet ne mund të bëjmë gjëra të mrekullueshme. Ndaj më vjen mirë që u bë 2 vjet e gjysmë që qendrat tona sociale funksionojnë me ritëm të plotë, që kemi jo vetëm një vend për të kaluar një vakt, por edhe në vend për të pasur një shok, një shoqe, edhe një vend tjetër për të pasur pranë dikë për të qarë një hall, për të kujtuar, për të kërkuar ndihmë”.
Githashtu, Veliaj kërkoi më shumë solidaritet për njerëzit në nevojë.
“Dua t’ju falënderoj me gjithë zemër që e keni mbështetur këtë projekt dhe që sot këtu kemi një nga qendrat dhe modelet më mira se si mund ta ndihmojmë njëri-tjetrin. Në 2018, nëse çdo shqiptar, çdo tiranas që është në gjendje, të ndihmojë një fqinj, një komshi, që mund të jetë solidar me dikë që është në nevojë, besoj që mund të kemi një qytet të mrekullueshëm”.
Më herët Veliaj uroi të gjithë besimtarët e krishterë me rastin e Krishtlindjes. Fillimisht ai vizitoi selinë e Vëllazëria Ungjillore dhe më pas mori pjesë në pritjen e Kishës Ortodokse.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.