Merkel dhe Macron për Eurozonën – Synojnë integrim më të fortë pas zgjedhjeve të Shtatorit

Liderët e Gjermanisë dhe Francës deklaruan se janë gati për të vazhduar me integrimin e mëtejshëm europian, duke premtuar një eurozonë më të fortë, në një kohë të shqetësimeve nga Brexit.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, i zgjedhur në muajin Maj me një platformë pro-BE-së, tha se kërkon të fuqizojë unionin e valutës së përbashkët dhe premtoi se do të lajmërojë disa propozime pas zgjedhjeve në Gjermani më datë 24 Shtator.
‘Brexit nuk duhet të marrë të gjithë përqendrimin”, tha ai ndërkohë që zyrtaret e Britanisë dhe të Komisionit Europian do të zhvillojnë raundin e tretë të bisedimeve këtë javë.
Në Berlin, kancelarja Angela Merkel, pëlqeu idenë e një Fondi Monetar Europian dhe shtoi se nuk e përjashton propozimin e një ministri të përbashkët të financave në Eurozonë.
Kancelarja konservatore, në fuqi që prej vitit 2005, pritet të fitojë në zgjedhjet e Shtatorit, gjë që do t’i mundësojë arritjen e një integrimi më të thellë të Eurozonës së bashku me Macron.
“Një Fond Monetar Europian do të shtonte stabilitetin dhe do t’i tregonte pjesës tjetër të botës se kemi të gjithë mekanizmat në portofolin tonë, për të reaguar mirë ndaj situatave të papritura”, tha Merkel.
Një fond i tillë do të zhvillohet nga Mekanizmi Europian i Stabilitetit, një strukturë e krijuar në vitin 2012 për t’i bërë ballë krizës së borxhit të Eurozonës, që kërcënoi shpërbërjen e bllokut.
Merkel, që kërkon të mbrojë unionin nga krizat e ardhshme, tha se nuk e përjashton idenë e një ministri të përbashkët të financave në Eurozonë dhe shtoi se kjo mund të koordinojë më mirë buxhetin dhe politikat ekonomike.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.