Merkel fiton debatin – U kthye në bisedë, Schulz humbet mundësine e vetme

Angela Merkel është fituesja e padiskutueshme e debatit të parë dhe të vetëm elektoral në Gjermani. Ajo ka mundur rivalin e saj Martin Schulz, dhe ka shuar çdo lloj shprese, sado minimale, për një surprizë në zgjedhjet e 24 shtatorit.
Angela Merkel “marshon” kështu e pashqetësuar drejt mandatit të saj të katërt në krye të ekzekutivit gjerman.
Debati i së Dielës u karakterizua nga tone të qeta, pa agresivitet. Qetësia e tepruar gjeneroi edhe mungesën e një përballje reale dhe mërzinë e spektatorëve për rrjedhojë.
Në pjesën dërrmuese të debatit, rivalët më shumë plotësuan opinionin e njëri-tjetrit sesa e kundërshtuan atë. Martin Schulz, njeriu i vetëm në më shumë se një dekadë që i është afruar kaq shumë Angela Merkel, përpara debatit gjendej plot 14 pikë larg saj në sondazhe.
Me debatin e së Dielës, humbi mundësinë e artë për t`iu afruar sadopak kancelares. Shikuesit kanë vlerësuar Merkel si fituese të debatit, pasi sipas tyre, transmetoi më shumë besueshmëri dhe kompaktësi.
Në fakt, fituesit real të debatit, janë pikërisht ata që nuk morën pjesë, si e djathta ekstreme, e majta dhe të gjelbrit. Janë plot 4 parti në garë për vendin e tretë në zgjedhje.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.