Merkel largohet nga CDU – “Ka qenë një nder”, tha kancelarja në një fjalim emocionues
Angela Merkel u tërhoq nga posti si lidere e Kristian Demokratëve me një fjalim emocionues ndaj partisë së saj konservatore, ndërkohë që u zhvillua takimi për të zgjedhur pasardhësin e saj, që do të garojë edhe për kancelarin e ardhshëm të Gjermanisë.
Kandidatët kryesorë janë Annegret Kramp-Karrenbauer, një aleate e Merkel që pritet të ndjekë qëndrimin e saj dhe Friedrich Merz, një rival i Merkel që ka kundërshtuar garancinë kushtetuese të azilit për të gjithë të përndjekurit politikë dhe që mendon që ekonomia më e madhe e Europës duhet të shtojë kontributet drejt BE.
Merkel tha në Tetor se nuk do të jetë më shefja e partisë, por do të qëndrojë kancelare deri në fund të mandatit. Merkel shprehu mirënjohje në një kongres të partisë Kristian Demokrate në Hamburg, që ka shërbyer si kryetare partie për 18 vite dhe kancelare për 13, periudhë gjatë së cilës ajo kryesoi politikat Europiane.
“Miq të dashur, ne kemi kaluar një sfidë të madhe në vitin 2015 duke pranuar shumë njerëz gjatë një krize humanitare. Përballë kësaj dhe sfidave të tjera, Unionit Krisitan Demokrat po i bëhet thirrje që të tregojë se në periudha të tilla, ne mbrojmë mënyrat tona të jetesës, vlerat liberale dhe interesat brenda dhe jashtë vendit. Tashmë është koha të hapim një kapitull të ri. Sot, në këtë moment, unë jam e mbushur me mirënjohje. Ka qenë një kënaqësi e madhe, një nder. Faleminderit”.
Fjalimi i saj emocional u ndoq nga 10 minuta brohoritje. Lideri i ri i Unionit Kristian Demokrat do të zgjidhet nga 1,001 delegatë që do votojnë në Kongres. Fituesi ka gjasa të drejtojë CDU në zgjedhjet e ardhshme federale në Tetor 2021.
Sipas sondazheve, 47% e CDU preferojnë Kramp-Karrenbauer dhe 37% Friedrich Merz. Ky i fundit, që humbi ndaj Merkel në vitin 2002, po i rikthehet politikës pas një dekade në biznes dhe ka fituar mbështetje nga anëtarët e CDU të lodhur nga politikat e Merkel.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.