Merkel paralajmëron qeveritarët: ‘Gjermania po heq bllokimet shumë shpejt. Jemi ende në fillim të luftës me koronavirusin”
Gjermania rrezikon të dëmtojë arritjet e saj të fundit sa i përket zvogëlimit të përhapjes së Covid-19, dhe nisur nga kjo kancelarja, Angela Merkel ka paralajmëruar, duke këshilluar liderët rajonalë dhe përfaqësuesit e partive që të tregojnë kujdes, në përpjekjen e masave lehtësuese. Disa biznese të vogla, jo thelbësore, rihapën dyert e tyre në Gjermani këtë javë pasi autoritetet shtetërore filluan të lehtësojnë masat e distancës fizike të paraqitura një muaj më parë. Sistemi politik i decentralizuar i vendit ka lejuar disa nga 16 shtetet federale të përparojnë me përjashtime të veçanta për bizneset vendase. Deri më tani, plani i betejës së Gjermanisë duket se po funksionon mirë ndaj luftës me koronavirusin.
“Zbatimi i strategjisë së daljes nga izolimi më jep shqetësim,” tha Merkel të enjten ndërsa iu drejtua parlamentarëve në Bundestag. “Në pjesë e planit duket se është i shpejtë, për të mos thënë shumë i shpejtë. Askush nuk i pëlqen ta dëgjojë, por ne nuk jemi në fazën e fundit të kësaj pandemie, por në fillim të saj. Ne do të vazhdojmë të jetojmë me të për një kohë të gjatë.”
Merkel e përshkroi pandeminë si “një imponim ndaj demokracisë, sepse kufizon saktësisht gjërat që përbëjnë të drejtat dhe nevojat tona ekzistenciale”. Pavarësisht kësaj, tha ajo, masat e vazhdueshme distancuese ishin të nevojshme.
Duket se ky qëndrim i kancelares gjermane, është përkrahur nga shumë vende të botës, por gjithashtu ka shkaktuar dhe mjaft diskutime në politikën gjermane, ku ku politikanët liberalë filluan të akuzonin politikanët konservator se po vepronte në një rol më ekzekutiv sesa parashikohej në kushtetutën e vendit.
“Në trajtimin e epidemisë së koronës, kancelarja është në prag të marrjes së paligjshme të një autoriteti më të lartë,” tha Wolfgang Kubicki, nga partia pro-afariste Demokratike e Lirë dhe nënkryetari i Bundestag. Sidoqoftë, duke dëgjuar një paralajmërim për përshkallëzimin e shpejtësisë së strategjisë së daljes, Merkel ka mbështetjen e një numri shkencëtarësh kryesorë në Gjermani.
Christian Drosten, drejtori i Institutit për Virologji në spitalin Charité në Berlin dhe një ekspert kryesor për koronaviruset, paralajmëroi në podcast-in e tij të përditshëm se rihapja e qendrave tregtare dhe dyqaneve më të mëdha mund të shkaktojë një valë të dytë të pandemisë në maj dhe qershor. Për dallim nga shpërthimi fillestar, një valë e tillë e dytë mund të ketë disa pika fillestare dhe do të ishte më e vështirë për tu gjurmuar dhe përmbajtur. Pikërisht për këtë arsye, virologu Melanie Brinkmann, kritikoi vendimin e qeverisë gjermane për strategjinë e saj të daljes nga izolimi.
“Një pjesë e madhe e popullsisë nuk e ka kuptuar rëndësinë e situatës dhe përhapjen e virusit” i tha Brinkmann Der Spiegel. “Për momentin njerëzit shohin se disa masa janë duke u lehtësuar, duke krijuar përshtypjen se i gjithë bllokimi do të hiqet hap pas hapi dhe së shpejti mund t’i rikthehemi normalitetit. Por ne ende jemi në fillim të luftës me pandeminë dhe shumë prej nesh e harrojnë këtë fakt të rëndësishëm’’- theksoi virologu Brinkmann, ndër të tjera.
Elefteria Zguri/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.