Merkel për Brexit: “BE është gati të nisë negociatat javën e ardhshme”

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se Bashkimi Europian është gati për të nisur negociatat me Britaninë, për daljen nga blloku më datë 19 Qershor, pavarësisht humbjes surprizë në zgjedhjet parlamentare të Konservatorëve.
Ajo tha se bisedimet do të vazhdojnë pavarësisht hapit mbrapa të partisë së Theresa May më 8 Qershor, ku Konservatorët dështuan të fitojnë mazhorancën në parlament.
“Europa është gati, po presin pjesën tjetër”, tha Merkel pas një takimi me zyrtarët kryesorë të Qeverisë.
Ajo nuk bëri komente mbi ndonjë ndryshim të planeve për Brexit, pas zgjedhjeve në Britani, duke thënë se: “Qytetarët kanë bërë zgjedhjen e tyre dhe se do të vazhdojnë me negociatat”. Theresa May ka thënë se bisedimet mbi daljen nga Europa, do të nisin si ç ‘planifikohej gjatë javës së ardhshme, ndërsa Ministri për Brexit, David Davis, tha se pozita e negocitave nuk ka ndryshuar.
Megjithatë, paraardhësi i May, David Cameron, tha se do të ketë presione për një qasje më të butë ndaj Brexit, gjë që mund të ruajë anëtarësinë në tregun e përbashkët. Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Sigmar Gabriel, duke përsëritur komente të bëra edhe nga Presidenti francez Emmanuel Macron, tha se dera e Evropës qëndron e hapur për Britaninë dhe se u takon britanikëve që të vendosin nëse kanë ndryshuar mendje. Merkel, së bashku me Gabriel, paralajmëruan se Bashkimi Europian do të mbrojë interesat e veta gjatë negociatave me Britaninë.
Gabriel shtoi se rënia e mbështetjes për Konservatorët e Theresa May, reflekton pakënaqësitë në lidhje me Brexit.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.