Merkel për Brexit Marrëveshja duhet të jetë e balancuar, kërkon lidhje të forta pas daljes
Kancelarja Angela Merkel, pas takimit me Kryeministren e Britanisë, Theresa May, tha se marrëveshja për Brexit duhet të arrijë një ekuilibër ku duhet të sigurohet që vendi do të dalë nga tregu i përbashkët i Bashkimit Europian, por të mbajë lidhje ekonomike të forta me bllokun.
Merkel tregoi një qasje optimiste në bisedimet e divorcit, të cilat ajo i përshkroi si konstruktive dhe miqësore, ndërkohë që mbetet thuajse 1 vit përpara se Britania të dalë zyrtarisht.
“Ne pendohemi për Brexit, por do t’i drejtojmë negociatat në mënyrë që të kemi një partneritet të afërt me Britaninë pas daljes, ekonomikisht dhe politikisht”, tha Merkel.
Theresa May tha gjithashtu se kërkon lidhje të forta pas Brexit, por nuk ka patur shumë përputhje deri më tani për marrëdhënien e vendeve pas Marsit 2019.
Britania synon të negociojë një marrëveshje tregtare me BE që ruan nivele të larta të aksesit në tregun e përbashkët europian. Nga ana tjetër, Bashkimi Europian bën të ditur se Britania do të humbasë akses nëse i qëndron planeve për të kufizuar lëvizjen e lirë të punonjësve dhe nëse nuk pranon të jetë nën juridisksionin e Gjykatës Europiane të Drejtësisë.
May tha se kërkon një marrëveshje për Brexit që është pozitive për kompanitë britanike dhe pjesën tjetër të Bashkimit Europian. “Kërkoj që kompanitë britanike të kenë maksimumin e lirisë për të tregtuar dhe operuar brenda tregjeve gjermanë dhe e njejta gjë për bizneset gjermane në Britani”, tha May.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.