Merkel për zgjedhjet në Francë – Thotë se preferon Macron ndaj kandidates nacionaliste
Kancelarja gjermane Angela Merkel, tha se do të mbështesë Emmanuel Macron në zgjedhjet presidenciale në Francë më 7 Maj, duke dhënë kështu mbështetje për të dytën herë për kandidatin e qendrës.
“Preferoj Macron ndaj nacionalistes Marine Le Pen“, tha Merkel në Bruksel pas një samiti të liderëve të Bashkimit Europian ku u diskutua strategjia për Brexit.
Liderja gjermane nuk ka nguruar për të dhënë preferencën e saj. Më herët gjatë javës ajo ka thënë se Macron do të jetë një president i denjë.
Gjatë samitit në Bruksel, Merkel tha se mbështetja i saj nuk përbën një surprizë.
Edhe Ministri i Financiave, Wolfgang Schaeuble ka dhënë pëlqimin e tij për Macron, duke thënë se do të votonte për ish ministrin francez të ekonomisë, nëse do të mundte.
Nuk është hera e parë që Kancelarja gjermane ka dhënë mendimin e saj në zgjedhjet franceze.
Në vitin 2012, Merkel mbështeti Nicolas Sarkozy kundër Francois Hollande, gjatë garës presidenciale, që përfundoi me fitoren e kandidatit socialist.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.