Merkel takon Putin – Diskutohet armëpushimi në Ukrainë dhe lufta në Siri

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, deklaroi se do të bëjë ç’është e mundur për të arritur armëpushimin në Ukrainë dhe për t’i dhënë fund konfliktit në Siri. Duke folur në konferencën për mediat me presidentin rus, Vladimir Putin, Merkel tha se Rusia duhet të bëjë më tepër në zgjidhjen e këtyre konflikteve.
Nga ana e tij, edhe presidenti Putin tha se konflikti në Ukrainë është një shqetësim i madh dhe konfirmoi nevojën që marrëveshja e Minskut të respektohet nga të gjitha palët. Marrëveshja për armëpushim në Ukrainë u arrit në vitin 2015, midis Gjermanisë, Francës, Rusisë dhe Ukrainës, por që nga ajo kohë luftimet kanë vazhduar.
Ndërkohë, Putin ka kërkuar ngritjen e një grupi të pavarur për të investiguar mbi përdorimin e armëve kimike në Siri. Analistët mendojnë se, vizita e Merkel në Rusi ishte mjaft e rëndësishme për marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe për stabilitetin në rajon.
Vizita e fundit e Merkel në Rusi ishte rreth 2 vite më parë dhe që nga ajo kohë, Berlini i është bashkuar sanksioneve të ndërkombëtarëve ndaj Rusisë, për shkak të aneksimit të Krimesë.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.