Merrnin materiale pa leje nga shtrati i lumit Shushicë – Procedohen penalisht 2 administratorë firmash
Policia e Shtetit njofton se në kuadër të zbatimit të planit të masave për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, në vijim të kontrollit të ushtruar për mbrojtjen e territorit, në lumin Shushicë janë konstatuar disa automjete që po gërmonin shtratin e këtij lumi. Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko Financiare kanë proceduar penalisht shtetasit: F. H., 58 vjeç, banues në Vlorë dhe V. D., 39 vjeç banues në fshatin Bunavi, Vlorë.
Sipas njoftimit këta shtetas u proceduan pasi në vendin e quajtur “Kthesa e Picarit”, në shtratit e lumit Shushicë, u konstatuan disa automjete të rënda të dy firmave të ndryshme të administruara prej tyre, duke marrë materiale inerte (zhavorr) pa lejet përkatëse mjedisore, me qëllim tregtimin e tyre pa dokumentacionin tatimor përkatës.
Policia bën me dije se në vijim të veprimeve, nga specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare u procedua penalisht për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”, shtetasi A. H., 47 vjeç, me detyrë inspektor i IKMT Vlorë, pasi dyshohet se nuk ka kryer kontrolle të vazhdueshme për monitorimin e territorit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.