Mesazhi i Bashkimit Europian për punëdhënësit: Mos kontrolloni rrjetet sociale të aplikantëve

Zyrtarët europianë kanë nxjerrë disa rregulla të reja, të cilat paralajmërojnë shefat për rreziqet ligjorë me të cilat përballen, në rast se kontrollojnë profilet në media sociale të aplikantëve për punë.
Rregullat e reja kërkojnë gjithashtu që punëdhënësi të vendosin një paralajmërim në aplikimet e tyre, nëse duan që të kontrollojnë llogaritë online si Facebook, Instagram, Snapchat, Tëitter apo Linkedin.
Nëse aplikantët nuk e shohin këtë formë paralajmërimi, atëherë kompania është në thyerje të rregullave për mbrojtjen e të dhënave të BE.
Punëdhënësit gjithashtu e kanë të ndaluar të kërkojnë plotësimin e të dhënave të rrjeteve sociale, si pjesë e procesit të rekrutimit, përveçse në ato raste kur kjo gjë është e nevojshme për një punë të caktuar, si modelet, etj.
Rregullorja është pjesë e një dokumeti të gjatë që sqaron ligjin e mbrojtjes së të dhënave, i cili aplikohet në të 28-të vendet e Bashkimit Europian dhe duhet implementuar në një periudhë të mëvonshme edhe nga vendet që aspirojnë anëtarësimin.
Sipas sondazheve, “hetimi” i punonjësve në rrjetet sociale është një fenomen në rritje sa i takon procesit të rekrutimit të punonjësve. Në SHBA, 70% e punëdhënësve përdorin median sociale.
Rregullat përcaktojnë gjithashtu se kompanitë mund t’u japin pajisje si Fitbit apo smartwatch punonjësve, por janë të ndaluara të mbledhin të dhëna nga këto pajisje.
Klientët e një kompanie nuk mund të marrin informacione të detajuara për punonjësit. Psh, një kompani postare mund t’i dërgojë me mesazh një klienti informacionin se shpërndarësi po vjen, por nuk mund të tregojnë foton apo emrin e punonjësit.
Mbrojtja e të dhënave personale është një nga prioritetet e Bashkimit Europian dhe do të mbulojë çdo fushë, deri tek dronët dhe makinat vetëdrejtuese. Kompanitë që nuk respektojnë këto rregulla mund të gjobiten deri në 4% të shitjeve të tyre vjetore globale.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.