Mësues për Shqipërinë, publikohen datat e testimeve – Nga 6 Marsi deri më 27 Prill

Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ka publikuar kalendarin me datat kur do të zhvillohen testimet e kandidatëve që kanë aplikuar për vendet vakante në arsim, përmes portalin “Mësues për Shqipërinë”.
Drejtoria e Provimeve të Shtetit njofton se këto provime do të zhvillohen fillimisht për lëndën e “Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë” mes datave 6-13 Mars. Më pas do të testohen kandidatët për arsimin fillor (15-20 Mars), ndjekur nga kandidatët për arsimin parashkollor (21-27 Mars).
Sipas të dhënave të publikuara nga ministrja Lindita Nikolla, aplikimet këtë vit arritën në 6 mijë kandidatë, 46% e të cilëve aplikonin për herë të parë.
Vitin e kaluar, morën pjesë në testim 4045 kandidatë, ndërsa këtë vit provimi do të zhvillohet në mënyrë dixhitale, për të eliminuar mundësinë për korrupsion dhe nepotizëm.
Pak ditë më parë, Këshilli i Ministrave miratoi numrin e praktikantëve në sistemin arsimor parauniversitar. Kjo kuotë përfshin 1500 individë që do të kryejnë praktikën profesionale me kontratë të përkohshme.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.