Meta kthen ligjin e rentës minerare – “Trajtim favorizues për subjekte të caktuar, preken dhe investimet e pushtetit vendor”

Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ndryshimet në ligjin “Për taksat kombëtare”, që parashikojnë përjashtimin nga taksa e rentës minerare për mineralet metalore që përpunohen në vend dhe eksportohen në formën e nënprodukteve, për një periudhë 3-vjeçare. Sipas Metës, ky ligj bie në kundërshtim me parimet dhe dispozitat kushtetuese që mbrojnë sigurinë juridike, lirinë ekonomike, barazinë para ligjit, autonominë e pushtetit vendor, si dhe dëmton hapur interesin publik dhe pasurinë kombëtare.
Më konkretisht, në arsyet e kthimit të ligjit thuhet se ndryshimet ligjore bëjnë një trajtim të favorizuar fiskal të një dege të industrisë në raport me degët e tjera. Duke iu referuar argmentimit se vendimi është marrë si pasojë e efekteve negative të krijuara nga COVID-19, Meta thekson se situata pandemike e cila vazhdon ende, ka sjellë efekte negative në secilën fushë të ekonomisë dhe në secilin subjekt operues në tregun e lirë në vend dhe mbarë botën.
Sipas presidentit, kjo përzgjedhje lehtësuese vetëm për një sektor, e mbi të gjitha pa asnjë transparencë mbi: numrin e operatorëve ekonomikë që operojnë në këtë fushë; nivelin e të ardhurave vjetore që gjenerojnë dhe kontributet që derdhin në buxhetin e shtetit; është një tregues më shumë për trajtim favorizues të subjekteve të caktuar ekonomikë, dhe jo ndërhyrje për të lehtësuar një sektor, mes shumë sektorëve të ekonomisë që po vuajnë pasojat e pandemisë Covid-19. Po kështu, në arsyet e kthimit të ligjit thuhet se ai është miratuar pa asnjë konsultim me pushtetin vendor, që është përfitues direkt i 5% të të ardhurave nga renta minerare, duke cenuar parimin e decentralizimit dhe autonomisë së këtij pushteti, ashtu dhe interesin publik për të përfituar nga fondet e planifikuara për t`u investuar në disa njësi të vetëqeverisjes vendore. Meta liston edhe një sërë argumentesh të tjerë, duke kërkuar rishikimin e këtyre ndryshimeve ligjore.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.