Meta kthen ligjin “Për rininë” – “Nuk zgjidh problemet, tenton vendosjen nën kontroll politik të organizimit rinor”
Presidenti Ilir Meta ka kthyer për rishqyrtim në Kuvend ligjin “Për rininë”. Përmes një dekreti, që mban datën 25 nëntor, por të publikuar të hënën, Meta vlerëson se ky ligj bie në kundërshtim me parimet kushtetuese, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe fryma e këtij ligji nuk përputhet me interesat reale të rinjve shqiptarë. Sipas tij, në vlerësim të të gjithë problematikave të rinisë shqiptare sot, krahasuar me mundësitë që ofron ky ligj vlerëson se ai nuk i përgjigjet nevojave të zhvillimit dhe pritshmërive të rinisë shqiptare dhe nuk garanton mirëqenien e tyre.
“Ligji jo vetëm që nuk sjell rregullimin e dëshiruar dhe të pritshëm, por për disa çështje thelbësore, ai bie ndesh me parimet dhe normat kushtetuese”,-argumenton Meta.
Sipas tij, është e domosdoshme kryerja e një studimi objektiv dhe shumëplanësh përpara miratimit të një ligji të plotë për rininë.
“Ky proces është shumë i nevojshëm, pasi në të kundërt do të krijonim një normë ligjore vetëm formalisht, por nuk do të mund të garantonim aplikimin me sukses të saj në adresë të rinisë shqiptare. Çështja thelbësore në ndërmarrjen e një nisme të tillë dhe, më pas, zyrtarizimin e saj është identifikimi real dhe trajtimi thelbësor dhe jo sipërfaqësor i problematikave të tilla, si: mungesa e vizionit për jetën, mospërshtatja e sistemit arsimor me tregun e punës apo mungesa e informacionit rreth këtij tregu, mungesa e argëtimit, papunësia, paragjykimi dhe diskriminimi ndërmjet të rinjve, mospjesëmarrja në proceset dhe vendimmarrjet demokratike, apo çështje të tjera sociale të hasura në praktikë dhe realitetin shqiptar”, argumenton Meta.
Po ashtu, sipas presidentit në disa dispozita të tij ky ligj tenton vendosjen nën kontroll politik të organizimit rinor, gjë e cila do të përbënte cenim të rëndë të së drejtës të çdo të riu për t’u shprehur dhe për t’u organizuar lirisht. Ligji “Për rininë” përfshin grupmoshën 15-29 vjeç dhe sipas qeverisë synon përmirësimin e statusit shoqëror dhe krijimin e kushteve për adresimin e nevojave të tyre në fushat që përbëjnë interes rinor. Por, ai është kritikuar ashpër edhe nga organizata e shoqërisë civile, gjatë diskutimeve në kuvend.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.