Microsoft “troket” në Greqi! Do ndërtojë infrastrukturën “cloud”, Mitsotakis: Na kthen në destinacion investimesh
Microsoft do të ndërtojë qendra të reja të të dhënave në Greqi, ndërkohë që investon në infrastrukturën “cloud” tek vendi, ç’ka do t’i ofrojë një nxitje ekonomisë së goditur nga kriza e borxhit dhe pandemia e koronavirusit. Presidenti i Microsoft, Brad Smith, gjatë një prezantimi në Athinë në nisje të Javës, tha se qendra e re e të dhënave do të jetë përfituese për bizneset, konsumatorët dhe bankat, si dhe do të krijojë vende të reja pune.
“Pasi të ndërtohen këto qendra, do të jetë sikur të keni një kompjuter gjigant pranë shtëpisë. Ju do të mund të aksesoni të dhënat tuaja dhe shërbimet kompjuterike me një shpejtësi rrufe. Kjo shpejtësi do impresiononte dhe vetë Zeusin.”
Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis, tha se qendra e të dhënave do të sjellë përfitime financiare në afat-gjatë prej 1 miliardë euro për vendin, përfshirë programe të trajnimit në aftësitë dixhitale për rreth 100,000 njerëz. Ai shtoi se Greqia do të kthehet në një destinacion për investitorët.
“Greqia ka diellin, tani do të marrë edhe renë. Po përjetojmë lindjen e një investimi të rëndësishëm të inovacionit me rëndësi ekonomike në shumë nivele. Krijimi i një qendre ultramoderne të të dhënave nga një gjigant si Microsoft, na kthen automatikisht në një destinacion të investimeve.”
Ekonomia greke është goditur rëndë nga kriza e borxhit që zgjati për mbi 1 dekadë, ndjekur menjëherë nga efektet e pandemisë së koronavirusit.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.