Migracion i paligjshëm, Francken: Belgjika nuk është vendi i “arit”, informohuni para se të vini
“Belgjika nuk është vendi i “arit” ku mund të gjeni çfarëdo lloj gjeje që të kërkoni, prandaj mos ejani në Belgjikë për të kërkuar azil pasi nuk do ta merrni atë”, tha sekretari për Azilin dhe Migracionin në Belgjikë, Theo Francken gjatë vizitës në Tiranë.
Francken tha se shqiptarët duhet të informohen mirë para se të shkojnë në Belgjikë, në të kundërt do të kthehen mbrapsht brenda 24 orëve.
“Unë kam ardhur në Shqipëri për të trajtuar së bashku me autoritetet shqiptare çështjen e migracionit të paligjshëm nga Shqipëria në Belgjikë dhe për t’i dhënë të gjithë qytetarëve shqiptarë një paralajmërim të fortë sa i përket migracionit të paligjshëm, që emigracioni i paligjshëm në Belgjikë nuk është absolutisht një opsion.
Unë kam një mesazh për të gjithë qytetarët shqiptarë: – ju lutem, informohuni para se të vini në Belgjikë, para se të hyni në zonën Schengen.
Prandaj ne kemi nisur një fushatë njoftimesh, Shqipëria me Hollandën… kjo është shumë e rëndësishme, është një flyer (fletë-palosje) e cila u jepet shumë shqiptarëve në aeroporte, në kufij; lexojeni, kontrolloni veten tuaj, dhe aplikojeni këtë. Sepse nëse nuk e bëni këtë, ne nuk ju lëmë që të hyni në Belgjikë. Dhe ne do t’ju kthejmë brenda 24 orëve. Po ashtu ne kemi marrë masa që njerëzit të mos arrijnë ta shpërdorojnë sistemin tonë të azilkërkimit. Ky ka qenë procesi që është ndjekur vitin e shkuar kur ne kemi kthyer në Shqipëri 678 qytetarë shqiptarë.
Për ne Shqipëria është një vend i sigurt që do të thotë që qytetarëve shqiptarë nuk u jepet azil në Belgjikë. Shqipëria qëndron në 5 vendet e para për kërkesa të azilit në Belgjikë. Belgjika mirëpret ata shqiptarët që vijnë sipas rregullave për të punuar, studiuar dhe turizëm, por ne nuk pranojmë shqiptarë që nuk respektojnë ligjet tona të migracionit”.
Nga ana tjetër zëvendësministrja e Brendshme Rovena Voda i prezantojë të gjitha masat që Shqipëria ka marrë për frenimin e migracionit të parregullt jo vetëm drejt Belgjikës, por edhe vendeve të tjera të BE-së.
“Unë dua të theksoj se ne jemi të vendosur për të minimizuar fenomenin e migracionit të paligjshëm dhe azilkërkimit pasi Shqipëria është një vend i orgjinës së sigurt dhe dua të theksoj së që nga muaji korrik 2017, Policia e Shtetit ka forcuar masat në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me fokus të veçantë të miturit e pashoqëruar, duke proceduar me ndjekje penale për të prindërit që lenë të miturit e pashoqëruar në vendet e BE-së.
Kemi bërë fushata intensive sensibilizuese; masa administrative dhe procedime për favorizuesit dhe nxitësit e azilit të paligjshëm; kemi proceduar punonjës policie që duke shpërdoruar detyrën apo përmes korrupsionit lejonin kalimin e personave me probleme në dokumentacion për të udhëtuar në Shengen; si dhe jemi të vendosur për goditjen e grupeve kriminale që janë të përfshira në këtë veprimtari”.
Sipas të dhënave nga Eurostat kërkesa për azil në vitin 2017 u ul me 24 për qind. Ndërsa në 3 muajt e parë të vitit 2018 iu është refuzuar dalja rreth 5,400 shtetasve shqiptarë për mungesë dokumentacioni.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.