Migracioni i brendshëm, Tirana e Durrësi destinacionet kryesore – Dibra, Kukësi e Gjirokastra në zbrazje

Krahas efektit të emigracionit jashtë vendit, i cili ka bërë që popullsia banuese në Shqipëri të ulet nga 2.900.401 në vitin 2012, në 2.876.101 në vitin 2016, edhe lëvizjet e brendshme të popullsisë kanë patur pasoja të mëdha në ndryshimin e popullsisë në qarqe.
Pjesa më e madhe e njerëzve që kanë zgjedhur të ndryshojnë vendbanim kanë lëvizur drejt qendrave urbane. Ky është një fenomen që ndodh edhe në vende të tjera dhe më së shumti është sinonim i urbanizimit.
Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, duket qartë se Tirana e Durrësi janë qarqet që tërheqin pjesën më të madhe të migrantëve të brendshëm. Në fakt, këto janë qarqet e vetme që kanë një bilanc pozitiv të normës bruto të migracioni neto të brendshëm, pra që kanë më shumë të ardhur se sa të larguar.
Konkretisht, Tirana shtoi në vitin 2016, 16.9 banues për mijë banorë, ndërsa Durrësi shtoi 14.3 për mijë banorë.
Një qark tjetër ku priret të ketë prurje të reja banorësh është edhe Vlora, por në këtë rast të larguarit e tejkalojnë numrin e të ardhurve.
Në rang vendi, Dibra paraqitet si qarku me zbrazjen më të madhe, e cila në vitin që lamë pas ishte rreth 28 për mijë banorë. Në situatë të ngjashme paraqiten edhe Kukësi, Gjirokastra dhe Berati.
Nëse në llogaritje do të futej edhe shtesa natyrore e popullsisë dhe migracioni i jashtëm, atë Gjirokastra do të ishte qarku që regjistron edhe rënien më të madhe të banorëve, duke pasur një ulje mesatare prej më shumë se 2 mijë banorësh në vit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.