Mikro-universi autentik, muzeu,“Shtëpia-studio, Kadare”! Intervistë me drejtoren e muzeut, Ana Shkreli

Apartamenti ku ka banuar Ismail Kadareja në vitet 1974 – 1989, i ndodhur në katin e tretë të një pallati në Rrugën e Dibrës, projektuar nga arkitekti Maks Velo në vitin 1972, është shpallur në vitin 2015 “Monument Kulture i Kategorisë II.” “Shtëpia-Studio Kadare” është një nga vendet ku mund të gjejmë letërsi të mirë, letërsinë e vetë shkrimtarit Ismail Kadare, vend ku mund të krijohet një ide e punës së tij. Ky apartament nuk ishte vetëm vendbanimi i Kadaresë, por edhe vendi i tij i punës; studioja e tij. Roli kryesor i muzeut kushtuar Kadaresë është edukimi dhe jo vetëm, ashtu siç pohon dhe Ana Shkreli, drejtoresha e “Shtëpisë-Studio Kadare.” Ajo na jep detajë të mëtejshme për “Scan Magazine.”
Kur i hapi për herë të parë dyert “Shtëpia-studio Kadare” dhe ideja e kujt ishte?
Ky muze i kushtohet letërisë së krijuar prej tij; një letërsi, e cila prej shumë dekadash përfaqëson Shqipërinë në lëmin ndërkombëtar të letrave bashkëkohore. Krijimi i këtij muzeu ishte iniciativë e Bashkisë Tiranë, me në krye Erion Veliajn, i cili, më pas ngriti dhe ekipin përkujdesës të profesionistëve që do të punonin me muzeun. Për realizimin e tij kanë bashkëpunuar emra të rëndësishëm ndërkombëtarë si: Elisabetta Terragni, Kurt Foster, por dhe emra të rëndësishëm studiuesish dhe artistësh shqiptarë, e sigurisht edhe ekipi i Bashkisë Tiranë.
Si është e ndarë shtëpia dhe cili është stili brenda?
Ajo është e organizuar në 6 dhoma. “Shtëpia-Studio,Kadare” është një mikro-univers autentik, prej të cilit kushdo del duke marrë me vete një vetëdijësim të mirë, e thuajse të plotë mbi veprën e Kadaresë. Zgjedhja kuratoriale ka qenë e tillë që në shtëpi të mos shtohen orendi të rikrijuara por të mbeten vetëm elementët autentikë të “Shtëpisë-studio, Kadare” siç janë: biblioteka e shkrimtarit me librat e tij origjinalë, fotografitë origjinale, orenditë shtëpiake, dorëshkrimet, epistolarët, e shumë të tjera. Stili i mobilimit është ai ekzistuesi i viteve ‘70 kur dhe është ndërtuar kjo banesë, në pallatin e famshëm me kube, të Maks Velos.
Cilat janë vështirësitë e drejtimit të “Shtëpisë-studio, Kadare?”
Përveç përmasës personale, “Shtëpia-studio, Kadare” funksionon mirëfilli edhe si hapësirë studimore. Me botimet e saj origjinale në shtëpi, me bibliotekën kushtuar Kadaresë si edhe bibliotekën e pasur vetanake të shkrimtarit, ne kemi ngritur një dhomë të katërt, e cila përbën dhe zemrën përherë të re e aktive kushtuar studimit, si një hapësirë për cilindo studiues a dashamirës dijeje. Pikërisht këtu qëndron dhe vështirësia e të krijuarit një strukturë arkivore mbi veprën e Ismail Kadaresë.
Ne ruajmë në brendësi të muzeut një numër domethënës punësh në dorëshkrim, shënimesh, dhe bocetash të autorit, të cilat do të renditen në një arkiv dixhital autorial, puna e të cilit ka nisur tashmë. Synimi ynë përfundimtar dhe afatgjatë është që, në bashkëpunim me autorin e shquar të mund të mbledhim të gjithë korpusin e tij, për ta shndërruar në një hapësirë autoritative studimi, e cila do t’u mundësojë studjuesve, mjetet e duhura për të zhvilluar punë filologjike të kujdesshme. Synojmë të krijojmë një qendër, e cila do të vijojë të joshë vizitorët drejt mendimit e reflektimit letrar, duke treguar si ndryshon puna e shkrimtarit në takimin e tij me lexuesit në kohë dhe vendndodhje të ndyshme.
Si është raporti mes turistëve vendas dhe atyre të huaj?
Vizitorë ka plot, për shkak të funksioneve të ndryshme që luan kjo hapësirë. Ka njerëz të cilët vijnë thjesht për turizëm, pasi kanë lexuar veprat e Ismail Kadaresë dhe dëshirojnë të përfshihen nga vendi që, në njëfarë mënyre i ngjizi këto vepra. Të tjerë vijnë për studjuar, e megjithatë raporti është mjaft i barabartë; ka plot grupe të huaja por dhe shumë shqiptarë, të cilët vijnë me familjen, apo të shoqëruar nga persona të dashur. Rastet më të dashura për ne janë vizitat e fëmijëve. Edukimi përmes muzeut dhe letërsisë qëndron në bazë të krijimit të një brezi, i cili, nesër do të jetë brezi i lexuesve të rinj dhe artdashësve. Puna më fëmijët është e domosdoshme në vazhdimin e traditës letrare në Shqipëri, jo vetëm kadareane. Ne, gjithashtu, kemi shumë shqiptarë të diasporës që vijnë të vizitojnë dhe çdo herë duket sikur gjejnë një copë të Shqipërisë së lënë pas.
Cila është grupmosha më e interesuar për të vizituar studion?
Mua më pëlqen ta konsideroj këtë shtëpi si një kuti kineze, në disa prizma. Shtëpia është në gjëndje të japë aq sa vizitori pret prej saj. Nëse vizitori do të hedhë thjesht një vështrim në hapësirën fizike të autorit Kadare, duke u ndalur tek mobiljet, oxhaku, raftet, biblioteka, mund të gjejë atë që kërkon, por, nëse vizitori do të thellohet më shumë mbi jetesën në regjimin diktatorial, censurën, “Lidhjen e Shkrimtarëve,” personazhet e shquar të kohës, Tiranën e viteve ‘70-‘80, stileve të ndërtimit dhe banimit, e me radhë, atëherë ai do ta gjejë veten në një përmasë krejtësisht tjetër. Në të njëjtën mënyrë mund të themi se pasqyrohet dhe marrëdhënia e muzeut me moshën. Ai është i vizitueshëm për çdo moshë.
Cilat janë disa nga aktivitet që mbahen në këto ambiente?
Që nga hapja e muzeut, në fund të majit, “Shtëpia-studio, Kadare” ka mbajtur një sërë eventesh, thuajse, çdo dy javë. Hapësira në vetvete funskionon dhe si qendër që synon promovimin e letërsisë bashkëkohore, por jo vetëm.
Ajo, gjithashtu mëton të sjellë në vëmendje dhe autorë të rinj, apo njerëz, të cilët punojnë më përkushtim dhe dashuri në fushën e letrave. Për këtë arsye, në aktivitetet tona, mund të rendisim: promovime librash, tema diskutimi të udhëhequra nga ekspertë në fushat përkatëse (si “Mitet e ringjalljes në traditat folklorike arbëreshe” apo “Martin Camaj, poet.”) Gjithashtu, sapo lamë pas dhe ditëlindjen e 84-t të Ismail Kadaresë, me rastin e të cilës çelëm një ekspoztë retrospektivë, me të gjithë botimet e para të autorit, nga i pari fare, i vitit 1954, deri te më i fundit, ai i 2018-ës.
Cili ishte aktiviteti i fundit që u mbajt?
“Ekskurs në botimet dhe edicionet e para të autorit 1954-2018”, ishte ekspozita, e cila në kremtin e 84-vjetorit të Ismail Kadaresë mëtoi të shqyrtonte evolucionin e publikimeve të autorit dhe të hidhte dritë mbi stadet e botimeve, vrojtuar këto, në kontekste të ndryshme politiko-kulturore.
Renditja e edicioneve të para të Ismail Kadaresë sipas një kriteri kronologjik u bazua mbi studimet bibliografike shkencore. Përzgjedhja e këtij kriteri në shpalimin e titujve synoi të ndërtonte për publikun e gjerë dhe audiencën e re, një narrativë më të përkapshme të gjenezës së disa prej veprave që do të bëheshin përfaqësuese të letërsisë shqiptare, në paradigmën e madhe të letërsisë botërore.
Cilët janë planet për të ardhmen?
Planet për të ardhmen janë të shumta. Si fillim, plani ynë afatshkurtër është pikërisht përfundimi sa më parë i dixhitalizimit të materialit që zotëron sot “Shtëpia-studio, Kadare” për të ngritur sistemin tonë të arkivës dixhitale. Ky projekt kërkon kujdes, pasi duke qenë një pjesë veprash në dorëshkrim ka nevojë për studim të hollësishëm. Gjithashtu edhe arkitektura e përdorimit të këtij arkivi do të duhet ideuar sipas kritereve shkencore të arkivistikës dhe praktikave më të mira, për të cilat do të kërkojmë eksperizën e specialistëve në këtë fushë.
Ne do të vijojmë me promovimin e letërsisë se Ismail Kadaresë por dhe të autorëve të rinj shqiptarë, duke ngritur herë pas here tema dhe diskutime që do të çelin dritare për miqtë dhe frekuentuesit e “Shtëpisë-studio, Kadare.”
Nga Migena Bushati/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.