Miliardat që kalojnë përmes Letonisë – Zhvillohen vetëm 85 hetime nga 17,900 transaksione të dyshimta

Letonia ka zhvilluar vetëm 85 hetime për pastrimin e parave në 2017-ën edhe pse bankat kanë nënvizuar 17,900 transaksione të dyshimta, tregojnë të dhëna nga Reuters, duke vënë në dukje vështirësitë e vendit Baltik për të përmirësuar reputacionin.
Kryeministri i vendit, Maris Kucinskis ka premtuar se do të rrisë monitorimin në banka pas mbylljes së huadhënësit të tretë më të madh në Letoni, ABLV, prej akuzave nga SHBA për pastrimin e parave dhe thyerjen e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut. Washingtoni po monitoron me detaje mënyrën se si Letonia trajton pastrimin e parasë, ku dyshohet se përfshihen klientët e pasur rus.
Numri i transaksioneve të pazakonta apo të dyshimta bankare në Letoni të raportuara ndaj autoriteteve mbetet mbrapa statistikave të ngjashme për Zvicrën dhe Bashkimin Europian. Në Zvicër, thuajse 60% e raportimeve të dyshimta janë deleguar në polici në vitin 2016.
Për Bashkimin Europian në tërësi, policia ka hetuar 10% të thuajse 1 milionë transaksioneve të konsideruara si të dyshimta në vitin 2014, sipas Europol. Letonia iu bashkua Eurozonës në vitin 2014 dhe më vonë vendosi bankat e vendit nën mbikëqyrje nga Banka Qendrore Europiane, por ka dështuar të largojë dyshimin mbi kontrollet e dobëta financiare.
Që prej fitimit të pavarësisë nga Rusia në vitin 1991, disa dhjetëra banka në Letoni kanë formuar një rrugëkalim drejt tregjeve perëndimorë për klientët rus dhe shtetet ish-sovjetike.
Fondi Monetar Ndërkombëtar ka dhënë paralajmërim që prej vitit 2007 se Letonia çalon në transparencën e llogarive bankare dhe Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik e kritikoi vendin në vitin 2015 prej dështimit për të trajtuar krimin financiar dhe pastrimin e parasë. Në vitin 2015, bankat e Letonisë mbanin depozita prej rreth 12 miliardë euro për klientët e huaj, sipas mbikëqyrësit financiar të vendit dhe shumica e kësaj paraje vinte nga Rusia.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.